Lajme

UNDP: Varfëria dhe Papunësia problemet kryesore në Kosovë


Ilustrim

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka publikuar këtë të premte edicionin e 23-të të Përmbledhjes “Pulsi Publik”. Brenda kësaj përmbledhje pasqyrohen gjetjet për dhjetë treguesit kyç në lidhje me çështjet socio-ekonomike, mjedisore dhe politike. Ato bazohen në anketat gjashtëmujore të opinionit që kryhen dy herë në vit dhe të anketuarit janë të moshës mbi 18 vjeçar.

Sipas kësaj përmbledhje, gjetjet që janë bërë pas anketave me qytetar, si probleme kryesore në Kosovë janë parë papunësia, varfëria dhe çmimet e furnizimeve esenciale, ndërsa me një dozë më të vogël si problem perceptohet furnizimi me energji elektrike dhe shëndetësia.

“Anketa e Pulsit Publik e nëntorit 2022 u kërkoi të anketuarve edhe të zgjedhin një nga problemet më të ngutshme me të cilat përballet Kosova aktualisht. Gjetjet tregojnë shqetësime të ngjashme për problemet madhore të perceptuara në prill 2022: papunësia (29.9%), varfëria (21%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (17.4%) perceptohen si tre problemet kryesore në Kosovë. Furnizimi me energji elektrike (4.3%) dhe shëndetësia (4.1%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara nga të anketuarit”, thuhet në këtë raport.

Tutje, është bërë një analogji me prillin e vitit 2022, ku perceptimi për korrupsion ishte ka rënë ndjeshëm.

“Vlen të theksohet se krahasuar me prillin e 2022, shkalla e atyre që e konsideronin korrupsionin si problem madhor (5%) ka rënë për 3.6 pikë përqindje në nëntor 2022, ku vetëm 1.4% e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin si problem madhor”.

Ndërkaq, të dhënat sipas përkatësive etnike në Kosovë kanë treguar se serbët e Kosovës si probleme madhore i kanë konsideruar: Furnizimin me energji elektrike dhe marrëdhëniet ndëretnike, ndërsa tek komunitetet tjera jo shumicë në Kosovë problem ishte papunësia dhe varfëria”.

“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike treguan se serbët e Kosovës i konsideruan furnizimin me energji elektrike (20.5%), marrëdhëniet ndëretnike (11.9%) dhe problemet e hapësirës urbane (10%) si tre çështjet më të ngutshme, ndërsa për komunitetet e tjera të Kosovës problemi më i madh ishte varfëria (22.5%), e ndjekur nga papunësia (18%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (16.5%). Si në anketën e mëparshme, për shqiptarët e Kosovës, papunësia (31.6%), varfëria (21.5%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (18.3%) ishin tre problemet madhore në Kosovë”, tregon raporti.

Gjithashtu, zbërthimet në baza gjinore janë tregues se femrat janë më të shqetësuara për papunësinë në Kosovë, në raport me meshkujt, por ndajnë shqetësim të njëjtë sa i përket varfërisë.

“Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se meshkujt dhe femrat janë kryesisht të shqetësuar për papunësinë, varfërinë dhe çmimet e furnizimeve esenciale. Ngjashëm me anketën e fundit të opinionit, femrat ishin më të shqetësuara për papunësinë (31%) sesa meshkujt (28.9%). Si femrat (20.6%) ashtu edhe meshkujt (21.2%) duket se janë njëlloj të shqetësuar për varfërinë. Megjithatë, femrat ishin më të shqetësuara për çmimet e furnizimeve esenciale (19%) sesa meshkujt (15.7%)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore