Kosova

Ulutash diskuton me shefin e ushtrisë serbe për situatën e sigurisë


Ozkan Ulutash dhe Millan Mojsilloviç

Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Utulash, ka takuar të mërkurën shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviç, ka njoftuar KFOR-i në një komunikatë për shtyp, ndërsa temë kryesore e diskutimeve ka qenë situata e sigurisë.

“Gjeneralmajor Ulutash dhe gjeneral Mojsilloviç ndanë pikëpamjet mbi situatën e përgjithshme të sigurisë dhe ndikimin në stabilitetin rajonal, dhe mbi aktivitetet e bashkëpunimit. Ata rikonfirmuan angazhimin e tyre të palëkundur për të ruajtuar komunikimin dhe dialogun e hapur”.

Ndryshe, takimi ndërmjet komandantit turk të KFOR-it dhe shefit të ushtrisë serbe ka ardhur në kohën kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përfshirë edhe inciativën për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

E përkundër se situata në pjesën veriore është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore