Kosova

Ulutas në 25 vjetorin e çlirimit nderon ushtarët e rënë të KFOR-it


Ozkan Ulutas

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-it, të mërkurën, nëpërmjet një ceremonie ku mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shënuar 25 vjetorin e Ditës së Çlirimit.

Komandanti i këtij misioni, Ozkan Ulutas, në një fjalim rasti është shprehur krenar që është në krye të misionit “më të madh aktualisht të NATO-s”, ndërsa ka nderuar edhe ushtarët që humbën jetën derisa po shërbenin në mision.

“Është privilegj të qëndroj këtu me të gjithë ju, si Komandant i misionit më të gjatë në historinë e Aleancës sonë. KFOR-i përfaqëson angazhimin e prekshëm, afatgjatë dhe të palëkundur të NATO-s për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të përditshëm të ushtarëve dhe personelit të tij civil”, ka thënë Ulutas.

“Më lejoni të nderoj shërbimin dhe sakrificën e tyre dhe të nderoj ata që humbën jetën duke i shërbyer këtij misioni; pa angazhimin e qindra mijëra burrave dhe grave që shërbyen në KFOR gjatë 25 viteve të fundit, NATO nuk do të mund të kishte luajtur një rol kaq të rëndësishëm në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Në ceremoni të pranishëm ishin edhe shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), shefja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), shefi i organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evrope (OSBE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore