Biznes

Ultra të pasurit u bëjnë thirrje qeverive të vendosin taksa mbi pasurinë


Më shumë se 200 anëtarë të elitës super të pasur po u bëjnë thirrje qeverive në mbarë botën që t’i “taksojnë ultra të pasurit, tani”.

E gjitha në mënyrë që të ndihmojnë miliarda njerëz që po luftojnë me krizën e kostos së jetesës.

Grupi prej 205 milionerësh dhe miliarderësh u ka drejtuar thirrje udhëheqësve botërorë dhe drejtuesve të biznesit që do të takohen për Forumin Ekonomik Botëror (WEF) që të vendosin urgjentisht taksa për të ndihmuar në trajtimin e “pabarazisë ekstreme”.

Ndër ta është edhe trashëgimtarja e Disney-t Abigail Disney dhe aktori Mark Ruffalo.

“Mungesa aktuale e veprimit është shumë shqetësuese. Një takim i elitës globale në Davos për të diskutuar bashkëpunimin në një botë të fragmentuar është i kotë nëse nuk po sfidoni shkakun rrënjësor të ndarjes”, kanë thënë ata në një letër të hapur.

Sipas grupit, mbrojtja e demokracisë dhe ndërtimi i bashkëpunimit kërkon veprim për të ndërtuar ekonomi më të drejta.

“Tani është koha për të trajtuar pasurinë ekstreme, tani është koha për të taksuar ultra të pasurit”, kanë theksuar ata.

Për ta, zgjidhja është më se e qartë. Përfaqësuesit globalë duhet të nisin taksimin e ultra të pasurve, tani.

Po ashtu kanë paralajmëruar se mosveprimi mund të çojë në një katastrofë.

“Kostoja e veprimit është shumë më e lirë se kostoja e mosveprimit – është koha për të vazhduar punën”.

Lera vjen pas shumë studimeve të reja që tregojnë se pothuajse dy të tretat e pasurisë së re të grumbulluar që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në një përqindëshin e më të pasurve.

Organizata bamirëse e zhvillimit Oxfam ka zbuluar gjithashtu se pjesa më e madhe kishin fituar 26 trilionë dollarë në pasuri të re deri në fund të vitit 2021.

Çka përfaqëson 63 për qind të pasurisë totale të re, me pjesën tjetër që shkonte për 99 për qind të mbetur të njerëzve.

Referuar Oxfam, për herë të parë në një çerek shekulli rritja e pasurisë ekstreme po shoqërohej me një rritje të varfërisë ekstreme dhe ka bërë thirrje për vendosjen e taksave të reja për super të pasurit.

Dhe se një taksë deri në pesë për qind për multimilionerët dhe miliarderët e botës mund të mbledhë 1.7 trilionë dollarë në vit, të mjaftueshme për të nxjerrë dy miliardë njerëz nga varfëria dhe për të financuar një plan global për t’i dhënë fund urisë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore