Lajme

Ulja e pagave për prokurorë e gjyqtarë, nis anulimi i seancave gjyqësore


Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është anuluar është anuluar seanca në rastin ku ish-ministrit i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe tre të tjerët Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim  Tahiri, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Seanca është anuluar pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka vendosur që të reduktojë shërbimet në gjykata dhe të pezullojë çdo bashkëpunim apo aktivitet ku prezentë janë përfaqësues të Qeverisë, për shkak të vendimit të fundit për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndërsa sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani, seanca e kësaj të enjte është anuluar deri në një vendim tjetër të KGjK-së.

“Njoftohen palët në procedurë se duke iu referuar vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 23 nëntor 2022, anulohet seanca në këtë çështje penale deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, tha ajo, raporton Betimi për Drejtësi.

Të mërkurën, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Albert Zogaj, theksoi se KGJK dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e çdo organizimi apo ku janë pjesëmarrës përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovë.

“Nëse nuk e anulon vendimin, KGJK do të vendosë më 8 dhjetor për masat e tjera”, theksoi Zogaj.

Ai ka potencuar se vendimi i Qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet dhe me parimet ndërkombëtare.

“KGJK-ja ka qenë e detyruar të marrë këtë vendim. I bëjmë thirrje Qeverisë që të reflektojë sepse vendimi i sotëm i Qeverisë është në kundërshtim me të gjitha aktet”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin e nxjerrë në vitin 2017 nga kabineti qeveritar i Ramush Haradinajt për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në mbledhjen e Qeverisë u miratua vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore