Lajme

Ukrainës dhe Moldavisë u jepet statusi kandidat për në BE


Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka bërë me dije se Bashkimi Evropian ka vendosur dhënien e statusit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë.

“Një moment historik. Sot shënohet një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së”, shkruan ai në median sociale Twitter.

Menjëherë pas këtij lajmi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, falënderoi liderët e BE-së që i dhanë sot Ukrainës statusin e vendit kandidat.

Një javë më parë ishte Komisioni Evropian i cili rekomandoi që Ukrainës t’i caktohet statusi i “vendit kandidat” duke i hap rrugë kështu anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kështu u shpreh gjatë fjalës së saj presidentja e komisionit Ursula von der Leyen.

“Ne kemi një mesazh të qartë – dhe ai është, po, Ukraina meriton perspektivën evropiane, po, Ukraina duhet të mirëpritet si një vend kandidat”.

Më 28 shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi një kërkesë për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Pas paraqitjes së aplikimit të Ukrainës, aplikime të ngjashme u depozituan nga Gjeorgjia dhe Moldavia.

Më 8 qershor, Parlamenti Evropian mbështeti një rezolutë që rekomandonte BE-në t’i japë Ukrainës statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Tani Komisioni Evropian është duke përgatitur një përfundim mbi përmbushjen e kritereve të Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore