Lajme

Ukrainasve u kërkohet të ‘karikojnë gjithçka’ teksa rrjeti energjetik është goditur nga sulmet ruse


Në Ukrainë, operatori kombëtar energjetik u ka kërkuar qytetarëve që të “karikojnë gjithçka” deri në orën 07:00 të së enjtes së 20 tetorit.

Kjo, për shkak të ndërprerjeve të pritshme të energjisë elektrike të shkaktuara nga sulmet me raketa ruse.

Impiantet e energjisë u goditën sërish nga raketat ruse një ditë më parë si pjesë e një vale sulmesh të ngjashme që nga 10 tetori.

Sipas Ukrenergo, ndërprerjet do të prekin të gjithë vendin.

E gjitha vjen teksa Rusia ka shpallur ligjin ushtarak në zonat e aneksuara të Ukrainës. Po ashtu masat e shtuara të sigurisë kanë hyrë në fuqi në Rusi, kryesisht në zonat përgjatë kufirit me Ukrainën.

Ukrenergo, përpos lajmërimit për ndërprerjet e energjisë elektrike, u ka bërë thirrje vendasve që të furnizohen me ujë dhe të sigurohen që të kenë “çorape dhe batanije” për të qëndruar ngrohtë.

Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë më herët se 30 për qind e termocentraleve ukrainase ishin shkatërruar nga sulmet ajrore ruse.

Sakaq, Ukrenergo ka zbuluar se ka pasur më shumë sulme në objektet e energjisë në dhjetë ditët e fundit sesa në të gjithë periudhën e mëparshme që nga 24 shkurti.

Dhe se ndërprerjet e energjisë mund të ndodhin “në të gjithë Ukrainën nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 22:00”.

Gjithashtu ka këshilluar qytetarët të kontrollojnë faqet e internetit të operatorëve të rrjetit rajonal për të parë se ku dhe kur do të ndodhin saktësisht këto ndërprerje.

Tanimë, ndërprerjet sporadike kanë prekur pjesë të kryeqytetit Kiev dhe shumë nga rajonet e Ukrainës.

Raketat ruse kanë dëmtuar infrastrukturën në të gjithë Ukrainën, duke përfshirë qytete si Lviv-i në perëndim që është shumë larg nga luftimet.

Ndërkohë, autoritetet u kanë kërkuar ukrainasve që të reduktojnë përdorimin e energjisë në mbrëmje.

“Nuk përjashtojmë faktin që me fillimin e motit të ftohtë të kërkojmë ndihmën tuaj më shpesh”, ka deklaruar Ukrenergo.

Sulmet në infrastrukturë janë dënuar edhe nga udhëheqësit perëndimorë.

“Sulmet e Rusisë kundër infrastrukturës civile, veçanërisht ndaj energjisë elektrike, janë krime lufte”, ka thënë presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

“Të ndërpresësh ujin, rrymën dhe ngrohjen e burrave, grave, fëmijëve, me ardhjen e dimrit – këto janë akte të pastra terrori”, ka shtuar ajo.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore