Lajme

Ukraina nuk mund ta rimarrë Krimenë së shpejti, thotë Pentagoni


Pentagon-i beson se trupat ukrainase nuk ka gjasa të jenë në gjendje të rimarrin Krimenë nga trupat ruse në të ardhmen e afërt.

Katër zyrtarë të rangut të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-ve e deklaruan këtë gjatë një konference të klasifikuar për anëtarët e Komitetit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, raportoi “Politico”.

Është e paqartë se çfarë i çoi pjesëmarrësit e konferencës në një vlerësim të tillë, thekson publikimi.

Por sipas tre personave me njohuri të drejtpërdrejta për konferencën e së enjtes, Pentagon-i nuk beson se Ukraina ka ose do të ketë së shpejti aftësinë për të shtyrë trupat ruse nga gadishulli i pushtuar përkohësisht.

Një burim i katërt tha se konferenca ishte më e paqartë. Por thelbi mbeti i pandryshuar: fitorja e Ukrainës në ofensivën që synon rimarrjen e territorit të aneksuar ilegalisht nuk është e garantuar.

Të katër burimet folën në kushte anonimiteti për të diskutuar detajet e konferencës së klasifikuar.

Ndër pjesëmarrësit e konferencës ishin Laura Cooper, Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes e SHBA-ve për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, dhe Gjenerali Douglas Sims, Drejtor i Operacioneve për Shefat e Përbashkët të Shtabit.

“Ne nuk do të komentojmë për informime të mbyllura, as nuk do të flasim për mundësi hipotetike apo spekulime për operacione të mundshme në të ardhmen”, tha zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh. “Nga pikëpamja e aftësisë së Ukrainës për të luftuar dhe rifituar territorin e saj sovran, rezultatet e tyre të shkëlqyera në zmbrapsjen e agresionit rus dhe përshtatshmëria e vazhdueshme në fushën e betejës flasin vetë”.

Vlerësimi i bën jehonë asaj që gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, ka lënë të kuptohet në javët e fundit.

“Unë, si më parë, besoj se këtë vit do të jetë shumë, shumë e vështirë për të dëbuar trupat ruse nga e gjithë Ukraina e pushtuar nga Rusia”, tha ai gjatë një takimi të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës në Gjermani më 20 janar. “Kjo nuk do të thotë se nuk mund të ndodhë. Nuk do të thotë se nuk do të ndodhë, por do të jetë shumë, shumë e vështirë”.

Çështja e kthimit të Krimesë ka mbetur e diskutueshme për shumë muaj.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë këmbëngulin se gadishulli është ligjërisht pjesë e Ukrainës, shpesh pa i dhënë Kievit pajisjet e plota për të nisur një ofensivë në rajon.

Një burim i njohur me pozicionin e Kiev-it tha se administrata Zelensky-i ishte e zemëruar nga komentet e Milley-t ndërsa Ukraina përgatitet për operacione të mëdha sulmuese këtë pranverë.

Ukrainasit vënë në dukje gjithashtu se inteligjenca amerikane në lidhje me aftësitë e tyre ushtarake ka qenë vazhdimisht e pasaktë gjatë luftës gati njëvjeçare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore