Lajme

Ukraina kërkon që Rusisë t’i hiqet anëtarësimi në UNESCO


Parlamenti i Ukrainës (Rada e Verkhovna) i bëri thirrje UNESCO-s që të revokojë anëtarësimin e Rusisë në organizatë.

Parlamenti i Kievit i bëri thirrje gjithashtu UNESCO-s që të dërgojë urgjentisht një mision në Ukrainë për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga sulmet ruse në vendet e trashëgimisë botërore në Lviv dhe Odesa, raporton agjencia ukrainase TSN.

Apeli iu dërgua parlamenteve dhe qeverive të vendeve anëtare të UNESCO-s, tha deputeti Jaroslav Železnjak.

“Parlamenti i bëri thirrje UNESCO-s, parlamenteve dhe qeverive të shteteve anëtare lidhur me domosdoshmërinë e revokimit të anëtarësimit të Federatës Ruse në atë organizatë”, tha ai dhe shtoi se për këtë vendim votuan 296 deputetë.

Parlamenti ukrainas u bëri thirrje gjithashtu parlamenteve dhe qeverive të vendeve të huaja që të marrin të gjitha masat e mundshme për të hetuar krimet, për t’i mbajtur ata përgjegjës dhe për të siguruar dënimin e drejtë të të gjithë autorëve brenda juridiksioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore