Sport

Uganda, tifozët e Arsenal-it arrestohen pasi festuan fitoren ndaj Manchester United


Të paktën tetë tifozë të Arsenal-it janë arrestuar në qytetin Jinja të Ugandës, pasi kanë festuar fitoren e klubit kundër Manchester United në Premier Ligën angleze.

Tifozët kishin veshur fanellën e kuqe të klubit dhe mbanin një trofe simbolik. Policia tha se nuk kishte leje për të mbajtur paradën, që është një shkelje e rendit publik.

Arsenal-i shënoi një gol dramatik në minutën e fundit për të fituar 3-2 në ndeshjen e së dielës kundër një rivali të madh si United.

Rezultati i dha “Topçinjve” një hendek me pesë pikë në krye të tabelës, duke u dhënë shpresë tifozëve anembanë botës se klubi mund t’i japë fund pritjes së tij 19-vjeçare për të fituar Ligën Premier angleze.

Tifozët e Arsenal-it po udhëtonin në një kolonë me pesë automjete mëngjesin e së hënës kur u ndaluan nga policia. Njëri prej tyre mbante një trofe që e kishte blerë në një dyqan lokal.

“Nuk e di se çfarë kemi bërë, por thjesht po festonim fitoren tonë ndaj rivalëve Manchester United”, citohet të ketë thënë tifozi i Arsenal-it Baker Kasule nga faqja lokale e lajmeve “Daily Monitor”.

James Mubi, shefi i policisë rajonale dhe një tifoz i vetëshpallur i Arsenal-it, i tha BBC-së se nuk i kishte shqyrtuar akuzat e tifozëve, por pyeste veten pse ata po festonin kur ishin luajtur vetëm gjysma e ndeshjeve të sezonit.

“Çfarë do të ndodhte nëse do të shpërthente një grindje me tifozët rivalë? Ata nuk e informuan policinë për të siguruar sigurinë për festimet e tyre”, tha Mubi, duke hedhur poshtë sugjerimet se arrestimi ishte i lidhur me arrestimin e shpeshtë të anëtarëve të një partie opozitare, të cilët gjithashtu vishnin rroba të kuqe.

Grupet e të drejtave thonë se Akti i Menaxhimit të Rendit Publik i ka dhënë policisë kompetenca diskrecionale që janë përdorur për të mbytur të drejtat e qytetarëve.

Arsenal dhe Manchester United gëzojnë mbështetje të madhe në Ugandë dhe në mbarë Afrikën, dhe kur ka ndeshje sallat e improvizuara në Ugandë janë gjithmonë të mbushura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore