UEFA po monitoron situatën – finalja e Ligës së Kampionëve mund të zhvendoset nga Rusia

SHFLETO
albanianpost
23.02.2022 14:30
Loading Icons...

Finalja e këtij edicioni në UEFA Champions Leauge ishte e vendosur që të zhvillohej në stadiumin“Krestovsky” të Shën Petersburgut në Rusi.

Por, kjo gjë mund të ndryshohet për shkak të përplasjeve të fundit diplomatike dhe ushtarake mes Rusisë dhe Ukrainës.

UEFA dhe FIFA thonë se janë duke monitoruar situatën, pasi që kriza e përshkallëzuar në dy vendet, kërcënon ndikimin që ndeshjet kryesore të futbollit ndërkombëtar të zhvillohen atje.

“Në lidhje me finalen e UEFA Champions League të këtij viti në Shën Petersburg, dëshirojmë t’ju informojmë se UEFA po monitoron vazhdimisht dhe nga afër situatën dhe çdo vendim do të merret në kohën e duhur nëse është e nevojshme. UEFA nuk ka komente të tjera për të bërë për momentin ”, tha një zëdhënës i UEFA-s për CNN.

Kundër që finalja e Ligës së Kampionëve të zhvillohet në Rusi, ishte edhe Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, e cila tha se ekipet angleze duhet ta bojkotojnë atë ndeshje, në rast se arrijnë aty.

“Nëse do të isha në një ekip anglez, do ta bojkotoja atë,” i tha Truss radio stacionit britanik LBC .

“Unë personalisht nuk do të doja të luaja në një ndeshje futbolli në Shën Petersburg duke pasur parasysh atë që po bën regjimi i Putinit”.

Katër skuadra angleze – Manchester City, Manchester United, Chelsea dhe Liverpool – janë ndër 16 skuadrat e mbetura në Ligën e Kampionëve në këtë sezon.

Kujtojmë që hera e fundit që Rusia priti një finale të Ligës së Kampionëve, ishte ajo e vitit 2008, kur u përballen Manchester United dhe Chelsea.

Ndërsa, Ukraina priti për herë të fundit një finale të Champions në vitin 2018. Në Kiev u përballën Real Madrid-i dhe Liverpool-i.

Sipas mediave britanike, nëse finalja nuk do të organizohet në Shën Petersburg, ka të ngjarë që ajo të shkojë në “Wembley”.

Vlen për t’u theksuar se qyteti që pret finalen mund të ketë të ardhura mbi 70 milionë euro.