Shëndet

Udhëzimet e reja të Kanadasë për alkoolin nxisin debat të ashpër


Në Kanada, udhëzimet e reja mbi përdorimin e alkoolit që rekomandojnë kufizimin deri në dy pije në javë, kanë nxitur debate mbi rrezikun kundrejt kënaqësisë në një vend ku shumica e të rriturve konsumojnë rregullisht alkool.

Këtë javë, Qendra Kanadeze për Përdorimin dhe Varësinë e Substancave (CCSA) bëri thirrje për një reduktim të konsiderueshëm të konsumit.

Ajo ka paralajmëruar se pirja në dukje e moderuar paraqet një sërë rreziqesh serioze për shëndetin, duke përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru.

Ndërkohë, udhëzimet e reja përfaqësojnë një ndryshim dramatik nga rekomandimet e mëparshme të lëshuara në vitin 2011, kur kanadezëve iu tha se konsumi me rrezik të ulët nënkuptonte jo më shumë se dhjetë pije në javë për gratë dhe 15 për burrat.

Sipas ekspertëve kanadezë, tre deri në gjashtë pije në javë duhet të konsiderohen si rrezik i moderuar për burrat dhe gratë, dhe shtatë ose më shumë pije në javë janë me rrezik të lartë.

Përveç rrezikut të lartë të kancerit të zorrës së trashë dhe gjirit, si dhe sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru, mund të ketë edhe shfaqje të dhunës si rezultat negativ nga pirja e alkoolit.

Por ka pasur edhe nga ata që i kanë pritur udhëzimet e reja me skepticizëm.

“Ky lloj hulumtimi shpesh margjinalizon konsiderata të tjera të shëndetit dhe mirëqenies nga alkooli”, ka thënë Dan Malleck, një profesor i shkencave shëndetësore.

“Me punën e tyre, si Qendra Kanadeze për Abuzimin dhe Varësinë nga Substancat, nuk ka vend për të menduar se mund të ketë përfitime. Detyra e tyre është të gjejnë dëmin”, ka shtuar ai.

Po ashtu i ka përshkruar udhëzimet si “të papërgjegjshme” dhe se rrezikojnë të krijojnë ankth dhe stres te kanadezët që dikur e shihnin veten si konsumues të moderuar të alkoolit, por tani zënë një kategori me rrezik të lartë.

Megjithatë, të tjerët i shohin udhëzimet si një përpjekje për të ndihmuar kanadezët të kuptojnë më mirë realitetet e konsumimit të alkoolit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore