Lajme

Uber-i ndodhet jashtë krizës pandemike, raporton fitime


Kompania Uber ka raportuar se të ardhurat pësuan rritje me 83 për qind nga viti në vit në 5.8 miliardë dollarë në tre muajt e fundit të vitit 2021.

Kjo pasi njerëzit iu drejtuan gjithnjë e më shumë platformës së tij për të lëvizur dhe porositur ushqim përmes shërbimit të shpërndarjes, tregon agjencia e lajmeve “CNN”.

“Rezultatet tregojnë se sa larg kemi arritur që nga fillimi i pandemisë”, ka thënë shefi ekzekutiv Dara Khosrowshahi në një deklaratë që shoqëronte rezultatet.

Khosrowshahi ka treguar se rezultatet tregojnë gjithashtu “sa të etur janë njerëzit të lëvizin nëpër qytetet e tyre teksa kufizimet lehtësohen dhe se si shpërndarja është bërë një pjesë e rëndësishme e jetës së tyre të përditshme”.

Gjithashtu ai ka pranuar se rritja e rasteve të COVID-it nga varianti Omicron ka nisur të ndikojë në biznes në fund të dhjetorit.

Megjithatë, biznesi i vet i udhëtimit “tashmë ka filluar të rikthehet”.

Në tremujorin e kaluar, Uber-i numëronte 118 milionë përdorues aktivë mujorë në platformën e vet, shuma më e lartë deri më tani dhe me një rritje prej 27 për qind nga një vit më parë.

Pas raportimeve të fitimeve, aksionet e kompanisë u rritën me më shumë se pesë për qind brenda disa orëve.

Kompania ka postuar edhe një fitim prej 892 milionë dollarësh për periudhën tre mujore, duke shënuar tremujorin e dytë fitimprurës si kompani publike, duke përjashtuar disa shpenzime.

Kjo është nxitur pjesërisht nga investimet në kompaninë e hekurudhave Grab, e cila ka blerë biznesin e Uber-it në Azinë Juglindore në vitin 2018, si dhe kompaninë e makinave vetëdrejtuese Aurora, e cila ka blerë operacionet vetëdrejtuese të Uber-it në vitin 2020.

Për të gjithë vitin, Uber-i ka raportuar një humbje neto prej 496 milionë dollarësh, dukshëm më pak nga rreth 6.8 miliardë dollarë që ka humbur një vit më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore