Kosova

U kap me 11 mijë doza ekstazi – Shumë reagime për arrestimin e asamblistit të Vetëvendosje


Foto: Albanian Post

Policia e Shqipërisë të hënën ka arrestuar asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujecin, për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike në Shqipëri dhe doza e sekuestruar nga operacioni policor kap shifrën e 400 mijë eurove.

Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që transportonte lëndë narkotike drejt Shqipërisë.

Lidhur më këtë rast ka pasur reagime të shumta nga opozita e shoqëria civile, ndërsa partia ku Mujeci bënë pjesë, përkundër arrestimit nuk e ka përjashtuar.

Kush reagoi?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, fillimisht tregonte se si muaj më parë Lëvizja Vetëvendosje, kishte provuar “me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të Kryeqytetit”, ku njëri nga të emëruarit ishte Mujeci.

“Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë; ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë”, shkroi ai në Facebook.

Sipas tij, “synim asokohe – ndër të tjerash – ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusëve të Kryeqytetit”.

“Sot, teksa një asamblist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asamblist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë”, potencoi ai.

Pazaret e tilla, theksoi kreu i LDK-së, “duket se kanë patur një qëllim më të thellë”, duke shtuar se “prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë”.

Ndërsa, ai i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që ta hetojë këtë rast; “në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces”.

“Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën”.

Ndërsa, përmes një ironie, për rastin në fjalë ka reaguar edhe një deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa.

“Prishtina dhe Tirana në qiell ishin të ndara, por në tokë u bashkuan nga narkotrafikantët e VV-së”, shkroi ai në Facebook, duke ironizuar me fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që e mbajti në Tetovë gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, ku “tregonte” se si Prizreni dhe Tetova kanë qenë të bashkuara në qiell, por kur Zoti i ka lëshuar në tokë i ka ndarë mali Sharr.

“Asamblisti i VV-së në Prishtinë, i emëruar nga partia e tij aksionar në Stacionin e Autobusëve, përdorte këta autobusë për të trafikuar narkotikë drejt Tiranës, ku dhe u arrestua i zënë me 10.000 doza droge! 10.000!!!”, theksoi ai.

Ndërsa, për Hykmete Bajrami, nga po e njëjta parti, “Lëvizja Vetëvendosje po e fundos Kosovën”, dhe tani thotë ajo “me afera të tregtimit të drogës nga eksponentë kryesorë”.

“Zënia e asamblistit të Vetëvendosjes në Prishtinë me gjysmë milioni euro drogë duke transportuar në Shqipëri është përmbysje e shpresës së rreme të proklamuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosjes”.

Ndërkaq, Bajrami potencoi se Prokuroria duhet ta hetojë “këtë ndërmarrje kriminale meqë asamblisti i Vetëvendosjes nuk është i vetëm në biznesin e drogës”.

Reagim pati edhe nga Partia Demokratik e Kosovës.

Shefi i asamblistëve të PDK-së në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka pretenduar se lloji i drogës me të cilën u zë në flagrancë asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, prejardhjen e saj e ka në Serbi.

“Pra këta e kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë për ta dërguar në Shqipëri”, ka thënë fillimisht Retkoceri.

Mu për këtë arsye PDK dega në Prishtinë ka kërkuar urgjentisht nga organet e rendit të Kosovës që të nisin hetimet të menjëhershëm për këtë rast.

Retkoceri ndër të tjera ka ngritur dyshime se Mujeci mund të mos jetë i vetmi i përfshirë në këtë aferë të madhe të kontrabandimit dhe shitjes së drogës.

Besnik Mujeci, të cilën Retkoceri e ka cilësuar si narkodilleri i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është vetëm asamblist i Komunës së Prishtinës, ditë më parë me insistimin e Lëvizjes Vetëvendosje ai është caktuar edhe aksionarë në ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve”.

“Sipas informatave të Policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është transportuar nga Kosova në Shqipëri përmes autobusëve. Arrestimi i tij ngre dyshimin e bazuar se caktimi i tij në këtë pozitë të lartë si aksionarë në këtë ndërmarrje nuk ka qenë aspak i rastësishëm”.

Retkoceri gjithashtu ka theksuar se shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla i cili është edhe kushëri i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës, është miku i ngushti i të arrestuarit për rastin e trafikimit të drogës në Shqipëri.

“Pyetjet tona për organet e rendit janë të qarta: Ku e mori narko-trafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci këtë sasi të drogës? Sa herë deri më sot, duke shfrytëzuar kanalet zyrtare dhe pozitën institucionale në stacionin e autobusëve, ka kontrabanduar drogë për në Shqipëri? A është Shqipëria vendi i vetëm në të cilin ka trafikuar drogë Besnik Mujeci? A ka persona të tjerë nga radhët e kësaj partie të cilët janë të përfshirë në këtë aferë të madhe të drogës? Pse Besnik Mujeci nuk është arrestuar deri më sot në Kosovë? A ka pasur mbrojtje nga zyrtarë dhe institucione të tjera në vendin tonë?”, theksoi Retkoceri.

Përmes ironisë vendosi që të reagojë edhe Blerta Deliu-Kodra – deputete e PDK-së.

“Eksporti ma i madh i këtij pushteti këtë vit: mbi 10 mijë doza drogë në Shqipëri nga asamblisti i tyre, në vlerë mbi 400 mijë euro!”, shkroi ajo në Facebook.

Nga ana tjetër, partia ku bënë pjesë Mujeci, Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë të ditur se ka nisur procedurë disiplinore ndaj asamblistit të tyre, por nuk ka vendosur që ta përjashtojë nga partia.

Lajmin e ka konfirmuar për “Telegrafin”, Sekretari për media dhe komunikim i Lëvizjes Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka.

“Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin”, tha ai.

Ndryshe, Policia e Shqipërisë të hënën ka arrestuar asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujecin, për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike në Shqipëri dhe doza e sekuestruar nga operacioni policor kap shifrën e 400 mijë eurove.

Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që transportonte lëndë narkotike drejt Shqipërisë.

Mujeci përndryshe është i emëruar aksionar në Ndërmarrjen publike ‘Stacioni i Autobusëve’.

Ishte pikërisht autobusi, mjeti me të cilin Mujeci transportonte lëndët narkotike.

Lënda narkotike me të cilën është kapuar Mujeci është ekstazi.

Siç ka treguar policia shqiptare “të arrestuarit janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës ‘Myslym Shyri’ dhe ‘Sami Frashëri’, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 mijë e 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”.

Në një konferencë për media, policia shqiptare ka treguar gjithashtu se “nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave te autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë transportoheshin me auto vetura të marra me qira në Tiranë dhe qytete tjera, kryesisht ne bregdetin e Shqipërisë dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin ne vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike me Shqipëri trafikantët kërkonin pagesa me para dhënie ose lënien e automjeteve si garanci”.

11 mijë doza ekstazi, 400 mijë euro vlerë – Si u arrestua asamblisti i Vetëvendosje në Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore