Kosova

U është premtuar për të martën, por ende e pa konfirmuar vizita te tre policët e Kosovës që po mbahen në Serbi


Është paralajmëruar për të martën një vizitë për tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi nga Udhëheqësi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, por akoma asgjë nuk është e sigurt.

Kurti tha të hënën se “vizita e Jasharit është menduar për ditën e nesërme”, por në një përgjigje për Albanian Post vetë Jashari ka refuzuar ta konfirmojë vizitën.

“Nuk mund të flas asgjë, sepse gjithçka duhet të shkojë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, ka thënë Jashari.

Jetish Jashari

Albanian Post ka pyetur në zyrën për media të MPJD-së, por s’është pranuar një përgjigje deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.

Megjithatë, nga burime të AP-së është kuptuar që vizita e Jasharit tek tre policët e burgosur akoma nuk është e sigurt.

“Mund të ndodhë këtë javë, por s’mund të thuhet se është konfirmuar vizita”, ka thënë burimi, duke theksuar se gjithçka është një procedurë e komplikuar e cila shkon përmes Bashkimit Evropian.

Policët e Kosovës, Shemë Mustafa, Beqir Sefa dhe Rifat Zeka, u rrëmbyen para pesë ditësh, siç thotë Policia e Kosovës, brenda territorit të Kosovës, derisa po bëni patrullat e tyre të zakonshme në detyrën e policëve kufitarë.

Serbia pretendon version tjetër dhe thotë se i arrestoi brenda territorit të vet. KFOR-i, që supozohej se do ta jepte një version të paanshëm, s’ka pranuar të flas fare, duke u arsyetuar se po pret faktet.

A do t’u bëhet një vizitë të martën nuk e dinë as familjarët e policëve, ose të paktën refuzojnë të komentojnë për media.

AP ka kontaktuar me vëllain e policit Zeka dhe me një familjar të policit Sefa, por ata kanë deklaruar se “për momentin nuk duam të komentojmë për media”.

Qysh nga rrëmbimi i tre policëve dihet shumë pak për ta. Atyre u është caktuar një masë e paraburgimit nga një gjykatë në Serbi, por s’është e ditur as kohëzgjatja e masës.

Avokati serb Çedomir Stojkoviç, që nuk është avokat i policëve, por ka përcjellur nga afër procesin si ekspert ligjor, i ka thënë Albanian Post-it se nëse nuk merret një vendim politik, por vazhdohet me procedura juridike, atëherë vështirë se policët mund të lirohen shpejt.

Çedomir Stojkoviç

“Deklarime se ata do lirohen brenda ditësh nuk mund të jenë të vërteta për nga procedura ligjore. Përveç, nëse merret një vendim politik. Sipas ligjit, e njëjta gjykatë merr vendimin edhe në apel, prandaj shanset për ta ndryshuar vendimin e vet të para dy ditësh janë zero”, ka thënë Stojkoviç përmes telefonit për AP-në.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë në një prononcim për “Euronews Albania”, se ndaj tre policëve kufitarë të Kosovës të rrëmbyer nga strukturat serbe të sigurisë, “dyshohet se është ushtruar dhunë”.

Nga zyra ndërlidhëse në Beograd nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse kjo është e vërtetë. Gjithçka do të kuptohet në momentin kur të vizitohen ata.

Vizitë kjo që mund ta përcaktojë edhe një tjetër në Bruksel. Kryeministri Kurti ka deklaruar gjatë të hënës se udhëtimi i tij drejt kryeqytetit politik të Evropës varet krejtësisht nga gjendjen e policëve të rrëmbyer.

“Kur t’i kem të dhënat nga kjo vizitë e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marrë vendimin dhe do ta jap njoftimin”, ka thënë Kurti, ndërsa shtoi se ky takim, mund të mbahet me datë 22 ose 23 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore