Kosova

Kamberi: Dyshohet se ndaj tre policëve është ushtruar dhunë


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një prononcim për “Euronews Albania”, ka thënë se ndaj tre policëve kufitarë të Kosovës të rrëmbyer nga strukturat serbe të sigurisë, dyshohet se është ushtruar dhunë.

“Ndaj tre policëve dyshohet se është ushtruar dhunë, pasi duket që Serbia po kërkon kohë për rikuperim të policëve që të vijnë në gjendje më të mirë. Kjo nga përvoja që kam me forcat speciale serbe në Preshevë kur arrestonin të rinjtë”, tha Kamberi.

Kamberi theksoi se fakti që Departamenti amerikan i Shtetit po kërkon lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte do të thotë se i ka të dhënat që i ka misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), por sipas tij, për arsye politike po mbahet e heshtur e vërteta.

Ai ka thënë se çështje tjetër ku dyshohet se ka pasur dhunë ndaj policëve, sipas tij, është edhe refuzimi i autoriteteve serbe ndaj kërkesës së shefit të Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, që t’i takojë policët e rrëmbyer.

“Jashari ka kërkuar zyrtarisht t’i takojë, por nuk i është dhënë e drejta dhe nuk është njoftuar se ku janë policët e rrëmbyer”, ka thënë ndër tjera Kamberi në këtë paraqitje për “Euronews Albania”.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë fatin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës, ndërsa autoritetet e Serbisë pretendojnë se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve kosovarë në territorin serb.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Departamenti amerikan i Shtetit, për më tepër, ka thënë se arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërisht në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore