Sport

U ble për 20 milionë euro para 10 ditësh, pritet ta humbë sezonin për shkak të dëmtimit


U ble për 20 milionë euro më 1 shtator të këtij viti, por me shumë mundësi do ta humbë të gjithë sezonin.

Bëhet fjalë për sulmuesin e Real Sociedad-it, Sadiq Umar, i cili u transferua gjatë kësaj vere nga skuadra e Almeria-s.

Umar u dëmtua në sfidën e së dielës, takim të cilin ekipi i tij e humbi me rezultat 2:1 ndaj Getafe-s.

Lëndimi që në fillim dukej i rëndë, derisa tani mediat spanjolle raportojnë që 25-vjeçari do të mungojë për muaj të tërë, ndoshta edhe do ta humbë sezonin.

 

“Testet e kryera këtë mëngjes zbuluan një këputje të ligamentit të brendshëm të kryqëzuar. Është një dëmtim që kërkon trajtim kirurgjik. Informacione të mëtejshme do të jepen në ditët në vijim”, thuhet në raportin e stafit mjekësor të klubit.

Pra, një nisje e fatkeqe e aventurës së Sadiq në klubin bask, derisa ai erdhi për ta zëvendësuar Alexander Isak, i cili u transferua te Newcastle United për 70 milionë euro.

Me fanellën e Real Sociedad-it, Umar ka luajtur në vetëm dy ndeshje, duke shënuar që në debutim kundër Atletico së Madrid-it.

Ndërkaq, në këtë sezon ai numëron edhe dy gola në La Liga me fanellën e Almeria-s në dy ndeshjet e fillimit, para se të transferohej në Sociedad.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore