Përballje

Tyson Fury fiton me KO, ri-konfirmohet mbret i boksit


Tyson Fury e ka mposhtur me nokaut në raundin e 11 Deontay Wilder për të mbrojtur titullin kampion bote në WBC dhe për t’u rikonfirmuar si më i miri i botës në boks për pesha të rënda.

Trilogjia ka ofruar një nga ndeshjet më të mira të kohërave të fundit në boks dhe do të futet në rangun e klasikeve të ringut.

Në këtë meç pati gjithçka. Pesë nokaute, tri për Fury-in dhe dy për Wilder.

Ishte raundi i tretë kur Fury u duk se do ta ketë edhe një ditë të lehtë punë, por ndeshja u kthye shpejt.

Kur u mendua se Fury po futej në raundin e katërt për të përfunduar gjithçka herët, siç pati bërë në ndeshjen e fundit, Wilder shtrëngoi dhëmbët.

 

Ishte Fury që u gjend me tokën e lëvizshme poshtë këmbëve.

Një direkte e shkurtër e djathtë e rrëzoi gjigantin anglez.

Pak sekonda më vonë një tjetër goditje kroshe e djathë e gjeti Fury-in të rrëzuar përsëri.

Nga raundi i pestë deri në të shtatin boksierët ia linin stafetën njëri – tjetrit.

Derisa Fury-it u bë mjaft dhe filloi shoun e tij.

Ai lëshonte kombinime të jashtëzakonshme që dukej se do i jepnin fund ndeshjes, por jo. Wilder refuzonte të rrëzohej.

Derisa në raundin e 11 një skenë filmash me Fury-in që prodhoi një kombinim brilant – një e majtë, e djathtë – dhe referi pa mjaft.

Wilder refuzonte të rrinte i shtrirë, por trupi u bë i padëgjueshëm.

Wilder i nokautuar

“Ishte një ndeshje e mrekullueshme sonte”, tha 33 vjeçari Fury, pas fitores.

“Ja vleu si trilogji që do mbetet në historinë e sportit. Wilder është një luftëtarë i fortë. Gjithmonë kam thënë, unë jam më i miri i botës, dhe ai është i dyti”.

“Unë jam më i mirë i epokës sime. Nuk isha i lënduar gjatë ndeshjes. Të godasin, rrëzohesh, ngrihesh prapë. Unë u ngrita dhe isha shumë i vetëdijshëm gjithë kohës. Isha gjatë gjithë ndeshjes një goditje larg fitores. Unë jam më i miri, pa dyshim. Numër një. Nëse luan me zjarrin, do digjesh”, deklaroi mbreti pasi përfundoi meçi.

Menjëherë pas ndeshjes Fury ka shkruar gjithashtu një status të shkurtër në Twitter.

Tyson Fury ne Twitter

“Kurrë mos më dyshoni. Edhe kur gjasat janë të vogla, unë gjithmonë triumfoj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore