Biznes

Twitter-i ngec, teksa Elon Musk bën lëvizjen e tij


Bordi i Twitter-it fillimisht ka menduar se oferta e Elon Musk-ut për të blerë kompaninë për 43 miliardë dollarë ishte thjesht një marifet.

Tani, e ka gjetur veten në mbrojtje në fronte të shumta.

Pasi Musk-u zbuloi se si planifikonte të financonte ofertën e tij për blerje, drejtuesit e Twitter-it janë nën presion për të shkuar në tryezën e negociatave me të, ose për të gjetur alternativa.

Për disa, oferta ka ngjallur shpresa se Twitter-i do të adresojë dështimin e perceptuar për të gjetur rrjedha të reja të të ardhurave.

Po ashtu edhe për historinë e sprovuar të Twitter-it të inovacionit të ngadaltë, mangësive teknike dhe luftimeve të brendshme të lidershipit.

Paçka se shumë prej tyre nuk e shohin Musk-un si njeriun e duhur për këtë punë.

Bordi është “kapur pas vlerës së pamjaftueshme në ofertën e Musk-ut, por jo aftësisë së mjaftueshme për të realizuar vetë vlerën më të madhe”, ka thënë një investitor i teknologjisë.

Twitter-i është rritur shumë më të ngadaltë se sa rivalët e mediave sociale, duke përfshirë Facebook-un dhe LinkedIn-in, si dhe ka qenë më pak fitimprurës.

Në vitin 2020, tërhoqi vëmendjen e një investitori aktivist, Elliott Management, mbi shqetësimet se themeluesi dhe shefi i atëhershëm ekzekutiv Jack Dorsey ishte shumë i pavendosur.

Analistët dhe reklamuesit e kanë kritikuar Dorsey-n se është një purist i Twitter-it, i përqendruar shumë në ndryshime të vogla të produktit bazë.

Ndërkohë, ai nuk ka arritur të kërkojë mënyra për të rritur ofertën e reklamave dhe për të diversifikuar të ardhurat përtej reklamave, në fusha të tilla si abonimet.

“Bëhet fjalë për një kompani që ka kaq shumë potencial dhe vazhdon ta shpërdorojë atë”, ka thënë një ekzekutiv i agjencisë së reklamave.

Ai ka shtuar se Twitter-i nuk ka arritur të përfitojë në fusha të tilla si videot e shkurtra, rishikimet dhe lajmet.

Qasja e Musk-ut vjen në një moment të cenueshmërisë së veçantë për Twitter-in, i cili kohët e fundit ka vendosur një shef të ri ekzekutiv, Parag Agrawal.

Ai është një inxhinier i vjetër në kompani, i cili ka konsiderata të mira brenda kompanisë, por që është relativisht i panjohur në Wall Street.

Në shenjë tensionesh pas dyerve të mbyllura, Dorsey, i cili do të qëndrojë në bordin e Twitter-it deri në muajin tjetër, ka thënë këtë javë se bordi ka qenë kaherë “mosfunksionimi i kompanisë”.

Ky bord, i cili është kritikuar për përdorimin e pakët të produktit ose mbajtjen e shumë aksioneve në kompani, kryesohet nga Bret Taylor, shefi ekzekutiv i Salesforce.

Gjithashtu përfshin Egon Durban të Silver Lake, i cili u bashkua pasi firma investoi një miliard dollarë dy vjet më parë.

Sipas ekspertit Stefano Bonini, Dorsey “mund të jetë pika e dobët që shkakton një lëkundje të mundshme ose ndryshime rrënjësore në bord”.

Kurse profesoresha Ann Lipton, mendon se aksionerët mund t’i kërkojnë bordit të pranojë një marrëveshje. Por që “nuk është e qartë nëse ata po përpiqen të bëjnë presion ndaj bordit për ta bërë këtë”.

Nëse drejtuesit e kompanisë janë të vendosur për ta mbajtur Musk-un larg, plani tjetër i besueshëm është gjetja e një “kalorësi të bardhë”, i cili mund të ofrojë një alternativë ndaj 54.20 dollarëve për aksion të propozuar nga sipërmarrësi.

Twitter-i nuk ka mungesë të blerësve të mundshëm, por shumë prej tyre janë larguar nga kompania.

Në të kaluarën, grupe të mëdha të teknologjisë si Salesforce dhe Google kanë shprehur interes për ta marrë atë. Aktualisht, asnjëri prej tyre nuk është i interesuar.

Kompani të tjera të mëdha të teknologjisë si Amazon, Facebook, Microsoft dhe Apple mund të jenë të interesuara për ta blerë Twitter-in pasi të gjitha mund të integrojnë kompaninë në bizneset e tyre ekzistuese.

Megjithatë, gjasat që ndonjë prej tyre të arrijë një marrëveshje është afër zeros, duke pasur parasysh kontrollin e shtuar antitrust të kompanive të mëdha teknologjike në Washington.

 

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore