Aplikacione

Twitter-i gjobitet me 150 milionë dollarë për ndarjen e numrave të përdoruesve


Twitter-i do të paguajë një gjobë prej 150 milionë dollarësh dhe do të vendosë masa të reja mbrojtëse për të zgjidhur akuzat e rregullatorëve federalë.

E gjitha vjen pasi kompania e mediave sociale u ka dhënë reklamuesve akses në informacionin personal të përdoruesve.

Departamenti i drejtësisë dhe Komisioni Federal i Tregtisë e njoftuan Twitter-in për këtë vendim të radhës të mërkurën e 25 majit.

Sipas tyre, Twitter-i u ka thënë përdoruesve se po mblidhte numrat e tyre të telefonit dhe adresat e email-it për qëllime të sigurisë së llogarisë nga maji 2013 deri në shtator 2019.

Por kompania nuk ka zbuluar se do të përdorte edhe informacionin për t’u mundësuar kompanive të dërgonin reklama të synuara drejt përdoruesve.

Autoritetet kanë thënë po ashtu se Twitter-i pretendoi në mënyrë të rreme se ishte në përputhje me marrëveshjet e privatësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe Zvicrën.

Këto të fundit i ndalojnë kompanitë të përpunojnë informacionin e përdoruesit në mënyra që janë në kundërshtim me qëllimet e autorizuara nga përdoruesit.

Sakaq, gjoba prej 150 milionë dollarësh dhe masat e reja të pajtueshmërisë sipas marrëveshjes, duhet të miratohen nga një gjykatë federale në Kaliforni.

Lajmi vjen teksa kompania gjendet në trazira të thella për një plan marrjeje prej 44 miliardë dollarësh nga shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk.

Në prill, Musk arriti një marrëveshje për ta blerë Twitter-in me 54.20 dollarë për aksion.

Por ai, javë më vonë, deklaroi se marrëveshja nuk mund të përparonte derisa platforma të provonte se më pak se pesë për qind e përdoruesve ishin llogari të rreme.

Prej asaj kohe, drejtuesit e Twitter-it kanë deklaruar se synojnë të ecin përpara me marrëveshjen.

Nëse Musks heq dorë, ai mund ta pësojë me pagimin e një tarife prej një miliard dollarësh.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore