Financa

Turqia përballë kërcënimit të ‘listës gri’ të mbikëqyrësit global të financave


Këtë javë, pritet që Turqia të renditet në listën gri nga një mbikëqyrës i financave globale për dështimet në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.

Kjo sipas dy zyrtarëve perëndimorë, të cilët dallojnë se veprimi do të dëmtojë më tej aftësinë e Turqisë për të tërhequr kapital të huaj, shkruan e përditshmja “Financial Times”.

Gjithashtu zyrtarët kanë treguar se anëtarët e Task Forcës së Aksionit Financiar (FATF) ka të ngjarë ta miratojnë vendimin gjatë diskutimeve të së enjtes në Paris.

Rishikimi i FATF-së kishte rekomanduar që Turqia t’i nënshtrohej një monitorimi të veçantë nga Grupi i Rishikimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, një proces i njohur si “lista gri”.

Kjo e përfshin Turqinë në listën e 22 shteteve të tjera, përfshirë Shqipërinë, Marokun, Sirinë, Sudanin e Jugut dhe Jemenin.

Për një nga zyrtarët, plenari 39-anëtarësh “ka shumë gjasa” ta miratojë rekomandimin. Kurse zyrtari tjetër ka thënë se miratimi pritet të jetë një formalitet i thjeshtë.

Lëvizja vjen teksa investimet e huaja në Turqi janë pranë nivelit më të ulët të arritur gjatë thuajse 20 viteve të presidencës së Recep Tayyip Erdogan.

Paqëndrueshmëria politike dhe shqetësimet mbi ndërhyrjen në politikën monetare dhe sundimin e ligjit kanë shërbyer për të trembur investimet e huaja jetike për financimin e deficitit tregtar të vendit dhe nxitjen e rritjes ekonomike, shkruan “Financial Times”.

Ndërkaq, futja në listën gri mund të japë një goditje të mëtejshme në një kohë kur lira turke ka arritur një seri rekordesh më të ulëta dhe mund të bjerë më shumë nëse banka qendrore e vendit ul përsëri normën e interesit.

Gjithashtu mund të ushtrojë presion edhe mbi Bashkimin Evropian (BE) për ta shtuar vendin në listën e vet të pastrimit të parave, e cila identifikon juridiksionet me rrezik të lartë jashtë BE-së që kërcënojnë sistemin financiar të bllokut.

I botuar në maj të këtij viti, një studim i FMN-së ka zbuluar se listimi gri i FATF-së kishte “efekt negativ të madh” në hyrjet e kapitalit të një vendi.

Autorët e tij, shkruan “Financial Times”, vlerësuan se listimi shkaktoi një reduktim të flukseve të portofolit, ekuivalente me tre për qind të prodhimit të brendshëm bruto, plus një reduktim të ngjashëm në investimet e huaja direkte.

Mirëpo, një rënie prej tre për qind do të ishte ekuivalente me afro 23 miliardë dollarë në rastin e Turqisë.

Paçka këtyre, ndikimi ka të ngjarë të jetë i kufizuar në raport me eksodin e kapitalit të huaj që vendi ka pësuar vitet e fundit.

Lidhur me FATF-në, u themelua në vitin 1989 për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorit dhe kërcënime të tjera të ngjashme ndaj integritetit të sistemit financiar ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore