Lajme

Turqia mirëpret bisedimet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë


Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan dhe homologu nga Azerbajxhani, Ilham Alivev

Turqia e ka mirëpritur vendimin nga Azerbajxhanit dhe Armenia që të fillojnë bisedimet për vendosjen e paqes.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alivev, rishtazi kanë biseduar në telefon ku është folur për zhvillimet e fundit në Kaukaz, njoftoi media turke Hurriyet.

Telefonata ka pasuar pas takimit që pati Alivev me kryeministrin armenian, Nikol Pashinyan.

Në një komunikatë nga zyra e presidentit turk, dy liderët kanë folur në telefon në vazhdën e bisedimeve për paqe mes Baku-s dhe Yarevan-it në Bruksel, në ndërmjetësim të presidentit të këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel.

“Dy liderët kanë folur për hapat që duhet të ndërmerren që të mbrohen interesat e Azerbajxhanit dhe vendosjen e qetësisë e paqes në rajon”, thuhet në komunikatë për media.

Edhe ministria e jashtme e Turqisë ka lëshuar një komunikatë ku mirëpriten bisedimet mes Alivev dhe Pashinyan.

Turqia është vënë në ndihëm edhe të “përgatitjes për një traktat të paqes dhe marrëveshjes për vendosjen e një komisioni të përbashkët kufitar deri në fund të këtij muaji”.

“Republika e Turqisë mbështet dhe aktivisht kontribuon në përpjekjet për vendosjen e paqes dhe stabilitet në rajon”, thuhet në komunikatë.

Azerbajxhani dhe Armenia u takuan në Bruksel në nivel liderësh për të diskutuar marrëveshjen pas luftës në Nagorno-Karabakh, në fund të vitit 2020, e cila përfundoi me fitoren e Baku-së.

Gjatë takimit dy liderët “urdhëruan ministrat e jashtëm që të fillojnë punën përgatitore për bisedime për paqe në mes dy vendeve”.

“Një marrëveshje është arritur gjatë takimit, për të vendosur po ashtu një komision dypalësh që merret me de-limitimin e kufirit mes dy vendeve”.

Në një lëvizje paralele, Turqia dhe Armenia po zhvillojnë ndaras bisedime bilaterale për normalizimin e raporteve dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike mes tyre.

Të dërguarit special të të dyja shteteve kanë mbajtur deri tani dy takime, një në Moskë dhe tjetrin në Vjenë. Derisa ministri i jashtëm armenian, Ararat Mizroyan, pati vizituar Turqinë në mars në një vizitë të rrallë.

Ai pati zhvilluar takim me homologun turk, Mevlut Çavushoglu, krahas Forumit të Diplomacisë në Antalia.

Turqia ka propozuar edhe një forum që do përfshinte rajonin e Kaukazit, pjesë e të cilit do të ishin edhe Rusia, Irani, Azerbajxhani, Armenia dhe Gjeorgjia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore