Bota

Turqia del nga traktati i dhunës në familje, mijëra gra protestojnë rrugëve


Në Turqi kanë shprehur zemërimin ndaj vendimit të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, për t’u tërhequr nga Konventa e Stambollit.

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Stambollit, ku protestuan të shtunën. Ata kërkuan anulimin e vendimit, për daljen nga traktati ndërkombëtar kundër abuzimit në familje. Marrëveshja ndërkombëtare u krijua për të mbrojtur gratë nga dhuna.

Mijëra forca policore u mobilizuan në qytetin më të madh të Turqisë.

Të shumtë kanë qenë protestuesit, të cilët kërkuan që presidenti Rexhep Tajip Erdogan ta kthejë këtë vendim, që prek gratë dhe komunitetin LGBTQ+.

Erdogan ka surprizuar aleatët evropianë me njoftimin se, Turqia do të tërhiqej nga Konventa e Stambollit, e cila ka marrë emrin e qytetit ku u hartua, në 2011-n.

Në atë periudhë, Erdogan ishte kryeministër i Turiqisë, tre vjet para se të bëhej president.

Turqia ishte një nga vendet e para që nënshkroi këtë marrëveshje.

Gratë dhe vajzat të revoltuara shprehen se, siguria e tyre është vënë në rrezik nga vendimi i Erdogan-it, për t’u tërhequr nga marrëveshja.

Protestuesit u mblodhën në sheshin bregdetar në Stamboll, me flamuj lejla dhe parulla me mesazhe të tilla si “Vrasjet e grave janë politike”.

Në një pankartë shkruhej: “Mbroni gratë, jo autorët e dhunës”.

Reagime nga institucionet

Drejtori i lëvizjes globale për të drejtat e njeriut Amnesty International Turkey, Ece Unver, u shpreh për agjencinë e lajmeve Reuters se, “tërheqja nga Konventa e Stambollit është një katastrofë për miliona gra dhe fëmijë që jetojnë në këtë vend”.

Statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se, 38% e grave në Turqi i nënshtrohen dhunës nga partneri.

Numri i lartë i vrasjeve të grave në Turqi ka alarmuar grupet e të drejtave.

Konservatorët në partinë e Erdogan-it thonë se Konventa e Stambollit, e cila thekson barazinë gjinore dhe ndalon diskriminimin e orientimit seksual, ul vlerat e familjes dhe promovon homoseksualitetin.

Aleatët e Turqisë në Perëndim kanë denoncuar që ata e përshkruan si një dekret të pajustifikuar, i cili zvogëlon të drejtat e grave dhe komunitetit LGBT.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore