Lajme

Turqia bën kthesë, mbështet Finlandën dhe Suedinë për anëtarësim në NATO


Samiti i NATO-s në Madrid e ka dhënë efektin e parë pozitiv.

Turqia, nuk do të bllokojë Finlandën dhe Suedinë në rrugëtimin e tyre drejt aleancës më të madhe ushtarake në botë, asaj të Atlantikut të Veriut.

Lajmin e ka bërë me dije presidenti finlandez, Sauli Niinisto, i cili theksoi faktin se një memorandum është nënshkruar nga tre vendet, për të mbështetur rrugëtimin e Helskinkit dhe Stokholmit në NATO, si edhe për të dhënë mbështetje të plotë në sigurinë e çdo vendi, ndaj kërcënimeve të mundshme që i drejtohen atyre.

Kërkesa për dalje nga neutraliteti i Suedisë dhe Finlandës, erdhi kryesisht për rrezikun që i kanoset vendeve, për shkak të afërsisë kufitare me Rusinë.

Madje, Finlanda ka edhe historinë në mbështetje të kërkesës për anëtarësim në NATO, pasi në epokën e Joseph Stalin, integriteti territorial i Finlandës u cenua dhe situata shkoi në luftë.

Mirëpo, fakti se dy vendet kanë dashur të njehsojnë procesin, i bllokonte të dyja, për shkak të mos dakordësisë turke me integrimin e Suedisë në aleancë.

Këta të fundit, sipas Qeverisë së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, kanë treguar shpesh mbështetje për minoritetin kurd, nën siglën e Partisë së Punëtorëve Kurdë (PPK), të cilët janë të shpallur si organizatë terroriste në Turqi.

Detaje të tjera mbi bisedimet nuk dihen ende, por mendohet se Suedia nuk do të mbështesë më në mënyrë indirekte ose jo PKK-në, në mënyrë që Turqia të ruajë këtë ekuilibër ndërkombëtar në NATO.

Saimiti i NATO-s në Madrid, i cili po mbahet me fillim në ditën e sotme e me vazhdim deri në 30 qershor, e nis kështu me optimizën të madh rrugëtimin tre-ditor të ndërmarrë.

Turqia nuk do të ndalet vetëm në këtë çështje gjatë samitit, pasi bisedime të hapura ka edhe me Greqinë, për çështjen e detit.

Vetë Erdogan deklaroi përpara Samitit se nuk do ta takonte Kyriakos Mitsotakis në Madrid, por gjithsesi asnjëherë nuk mund të thuhet kurrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore