Lajme

Turqi-Greqi, çështja e deteve ende e pazgjidhur


Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, së bashku me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, zhvilluan raundin e 62-të të bisedimeve, në Athinë, më 17 mars.

Gjatë takimit, u diskutua për arritjen e zgjidhjes së drejtë në caktimin e zonës ekonomike ekskluzive dhe shelfit kontinental në Egje dhe Mesdheun Lindor.

Ajo duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

Gjatë ditës së martë, ministri grek deklaroi se Greqia ka qenë përherë e gatshme që të zhvillohen takime me Turqinë, por me kushtin që të kryhen në një klimë të duhur.

Nga ana tjetër, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi se përjashton çdo mundësi të bëjë ndonjë lëshim ndaj Greqisë, në lidhje me të drejtat e saj në Mesdheun Lindor.

Ndërkaq, diplomatë dhe anëtarë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) nuk arritën të gjenin zgjidhje, për një marrëveshje të drejtë dhe të kënaqshme për dy palët.

Edhe pse Dendias u tha gazetarëve se “vendi i tij po merrte pjesë në këto bisedime me mirëbesim”, dukshëm të dyja palët ishin shumë larg si për nga qëllimi, edhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve disavjeçare.

Pas bisedimeve politike, nuk pati një zgjidhje përfundimtare të problemit nga të dy vendet.

Takimi në Stamboll

Ai i të mërkurës ishte takimi i dytë për këtë vit pas atij të 25 janarit në Stamboll, që u zhvillua prej presionit të Bashkimit Evropian (BE).

Në atë takim u shënuan bisedimet e para të drejtpërdrejta midis dy vendeve në gati pesë vjet. Athina i kishte pezulluar pas raundit të 60-të në mars 2016.

Në janar, bisedimet nuk filluan me notën më të mirë, pasi një shënim diplomatik nga Ankaraja tërhoqi vëmendjen.

Aty shkruhej se Izraeli, Greqia dhe BE-ja duhet të kërkonin lejen e Ankarasë përpara implementimit të projektit. Ai konsistonte në shtrirjen e një kabulli të energjisë në ujërat e diskutueshme të Mesdheut Lindor.

Armiqësia u ndez në 2020-n. Ankaraja dërgoi disa anije stërvitore për eksplorimin e energjisë në Mesdheun Lindor, duke pohuar të drejtat e saj në rajon si dhe ato të Republikës Turke të Qipros Veriore.

Mendohet se këto ujëra janë një burim i mundshëm i rezervave të gazit natyror. Turqia është e zemëruar, pasi Athina po përdor rrjetin e saj të ishujve si synim për të zotëruar pjesë të mëdha të Deteve Egje dhe Mesdhe.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka hedhur poshtë pretendimet e kufijve detarë nga pala greke dhe greko-qipriotët.

Ajo ka theksuar faktin se kërkesat e tyre të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe turqve qipriotë.

Ndërhyrja e BE-së në këtë çështje

Gjatë një samiti të BE-së në dhjetor, vendet anëtare hartuan një listë të synimeve turke, për sanksione mbi ato që ajo tha se kishin qenë “veprimet dhe provokimet e njëanshme të Ankarasë” në Mesdheun Lindor.

BE-ja aktualisht po përgatit një raport vlerësimi mbi marrëdhëniet e saj me Turqinë. Zyrtarët evropianë thonë se ka pasur shenja përmirësimi në muajt e fundit.

Në një video-konferencë me oficerët ushtarakë, ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, më parë këtë javë i bëri thirrje Athinës “të braktisë qëndrimet e saj pa kompromis dhe provokuese”.

Gjithashtu, tha se Greqia duhet t’i ndalë përpjekjet për të tërhequr BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atë që në thelb është një mosmarrëveshje dypalëshe.

Udhëheqësit turq kanë theksuar vazhdimisht se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së problemeve të pazgjidhura në rajon përmes: ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.

Në vend që të vendosë të zgjidhë problemet me Ankaranë përmes dialogut, Athina, në disa raste, ka refuzuar të ulet në tryezën e negociatave.

Gjithashtu ka vendosur të mbledhë Brukselin, për të marrë një qëndrim më të ashpër kundër Turqisë.

Të dy palët përmendin një sërë traktatesh të vjetra dhe marrëveshjesh ndërkombëtare, për të arritur pretendimet e tyre konfliktuale territoriale.

Kujtojmë se dy shtetet konfliktet dhe mosmarrëveshjet për këtë çështje i kanë nisur që në 2002-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore