Shqipëria

Turizmi në Shqipëri do të rritet me 20%, priten rreth 6 milionë vizitorë


Ritmet e rimëkëmbjes në sektorin e turizmit në Shqipëri kanë qenë më shumë se të kënaqshme pas pandemisë COVID-19, ku vitin e shkuar, u arrit të zhvillohej një sezon thuajse “COVID free”, me shumë pak kufizime.

Këtë vit nga ana tjetër, lirshmëria e lëvizjes pritet të jetë edhe më e madhe, duke marrë parasysh se të gjitha masat kufizuese në Shqipëri, janë të hequra tashmë, përfshi kërkesën për certifikatë vaksinimi.

Gjatë vitit 2021, rreth 5.6 milionë vizitorë erdhën në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre, gjatë sezonit të verës.

Por kjo nuk do të thotë se turizmi në 365 ditët e vitit nuk është i zhvilluar.

Ajo çfarë është arritur më së shumti, është edhe zgjatja e sezonit veror. Teksa më parë ai fillonte në diku në javët e fundit të qershorit dhe mbyllej në javët e para të shtatorit, tashmë hapet në javët e fundit të majit dhe mbyllet në javët e para të tetorit.

Praktikisht, kështu zgjatet me rreth dy muaj sezoni veror në Shqipëri.

Albanian Post është interesuar pranë disa operatorëve turistikë dhe ata e kanë konfirmuar faktin se këtë vit, pritet të ketë rreth 20% turistë më shumë, duke u bazuar në shifrat paraprake të prenotimeve që kanë marrë.

Ndërsa vitin e shkuar flitej për 5.6 milionë turistë vjetorë, këtë vit shifra pritet të jetë mbi 6 milionë.

Diçka gjithsesi mbetet penalizuese, të paktën për shqiptarët.

Për shkak të krizës globale në sektorët e energjetikës dhe atë ushqimor, pritet që gjithë industria të ketë rritje të çmimeve në sektorin e hotelerisë dhe restoranteve.

Këto rritje mund të shkojnë edhe deri në 50% sipas pritshmërive.

Gjithsesi, sa i përket të huajve, vendi ynë ofron ndër çmime të volitshme për rajonin. Ndaj, kjo mund ta bëjë Shqipërinë më atraktive në sytë e të huajve.

Për t’u parë mbetet edhe fakti se sa ndikuese do të jetë mungesa e turistëve ukrainas dhe rusë dhe sa do të bien realisht shifrat e tyre.

Nëse gjithçka shkon si duhet, pritet që niveli i turizmit të kapë atë të vitit para-pandemik 2019 me statistika, duke e qartësuar tashmë kthimin në normalitet për sektorin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore