Vende

Turizmi 2023 në shifra: 4.4 milionë kosovarë vizituan Shqipërinë, mbi 1 milion italianë për të parën herë


Surpriza turistik e vitit 2023 në Ballkanin Perëndimor ishte pa diskutim Shqipëria, e cila për të parën herë ka regjistruar një shifër rekord prej 10.15 milionë turistësh të huaj për vitin që lamë pas.

Por, një surprizë po aq e madhe, ishte fakti se mbi 1 milion italianë, mbajtën një peshë kryesore të kësaj shifre, duke qenë ndër vendet e Evropës të parët, të cilët e vunë Shqipërinë në radarin e tyre të pushimeve.

Kjo gjithsesi nuk e lëkund faktin se në absolut, vizitorët më të shumtë kanë qenë ata kosovarë, pasi kanë parë një rritje me 67% në vitin e fundit, duke kapur kuotën e 4.4 milionë vizitorëve për vitin 2023 në Shqipëri.

Rajoni më gjerë megjithatë vijon të kontribuojë pozitivisht në tabelat shqiptare të turizmit, ku ka pasur rritje edhe të pushuesve nga Maqedonia e Veriut, Greqia, apo Mali i Zi.

Respektivisht, për të tre këto vende, numri i vizitorëve në Shqipëri u rrit me 10, 38 dhe 44%.

Një grup tjetër domethënës me një numër të lartë turistësh kanë qenë gjermanët, të cilët kanë shënuar rritje me 66% në 2023-shin krahasuar me 2022-shin dhe kanë kapur shifrën e 312 mijë vizitorëve

Më tej, vijojnë pushuesit nga Anglia, Polonia dhe Turqia.

Risia e vitit të shkuar gjithsesi ka qenë edhe koncepti i një turizmi 365-ditor, jo thjesht një sezon turistik veror. Më së shumti në periudhën e dhjetorit 2023, grupet kryesore që vizituan Shqipërinë kanë qenë polakët, rumunët dhe kosovarët.

Teksa një surprizë më vete ka qenë edhe rritja e vizitorëve nga Kina, të cilët tashmë pa regjim vizash, janë rritur me 177%, krahasuar me vitin 2022.

Grupe të tjera me rritje të madhe janë ato nga Turqia, me 110% dhe Finlanda me 105%.

Në dhjetor 2023 rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 571 mijë e 348 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 9 mijë e 845 dhe 2 mijë e 617 shtetas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore