Shëndet

Tumoret e kokës dhe qafës, simptomat që nuk duhen injoruar


Një kontroll mund të shpëtojë jetë.

Një diagnozë e hershme e kancerit bën një ndryshim të madh midis jetës dhe vdekjes.

Të kuptuarit herët është i vlefshëm për të gjithë tumoret dhe aq më tepër për ato të kokës dhe qafës, simptomat fillestare të të cilëve shpesh injorohen ose shoqërohen me sëmundje sezonale si ftohja.

Mbi këtë supozim bazohet edicioni i Fushatës Make Sense 2023.

Qendrat në të gjithë Italinë do të organizojnë ditët e diagnostikimit të hershëm falas me synimin për të njohur shpejt çdo shenjë dhe për t’i referuar pacientët te mjeku për kontrollet e nevojshme.

Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin për shenjat paralajmëruese që shumë njerëz nuk i dinë apo i anashkalojnë.

Tumoret cervikale-cefalike janë forma të ndryshme të kancerit që prekin hundën, buzët, gjuhën, brendësinë e gojës, gjëndrat e pështymës, laringun dhe faringun.

Në thelb çdo neoplaz që ka origjinën në zonën e kokës ose qafës, me përjashtim të syve, trurit, veshëve dhe ezofagut.

Shpesh diagnostikohen vonë, në një fazë të avancuar, kur terapitë duhet të jenë më invazive dhe shanset për shërim janë më të ulëta.

Pikërisht për shkak të zonës së trupit në të cilën zhvillohen këto tumore, shpesh janë lehtësisht të dukshme, megjithatë hetime të ndryshme, përfshirë ato ndërkombëtare, kanë treguar se janë pak të njohura dhe simptomat janë nënvlerësuar.

Me pasoja të rënda për të sëmurët: nëse  diagnoza është e hershme, shkalla e shërimit është afër 80-90 për qind, krahasuar me një jetëgjatësi mesatare prej rreth pesë vjetësh për ata që zbulojnë sëmundjen në një fazë të avancuar.

“Flisni me mjekun tuaj nëse edhe vetëm një nga këto simptoma është e pranishme për tre javë ose më shumë”, ka thënë Roberto Maroldi, president i Shoqatës Italiane të Onkologjisë Cervikal-Cefalike.

Ndër to përfshihen dhimbjet në gjuhë; ulçera që nuk shërohen ose njolla të kuqe ose të bardha në gojë; dhimbje fyti; dhimbje ose vështirësi në gëlltitje; ënjtje e qafës; hundë e bllokuar në njërën anë ose gjakderdhje nga hunda.

Megjithëse janë pak të njohura për popullatën dhe nuk flitet shpesh për to, kanceret e kokës dhe qafës janë lloji i shtatë më i zakonshëm i kancerit në Evropë dhe në Itali ka rreth 9 mijë e 900 diagnoza të reja çdo vit.

Sakaq, terapitë e disponueshme sot janë të ndryshme, ato gjithashtu ndryshojnë në varësi të llojit të tumorit, zonës së prekur dhe fazës së sëmundjes: kirurgji, radioterapi dhe hadronterapi, kimioterapi, imunoterapi dhe medikamente biologjike.

“Meqenëse këto janë tumore që prekin fytyrën dhe organe të rëndësishme dhe vendimtare për cilësinë e jetës, ndikimi estetik dhe psikologjik nuk është dytësor dhe rehabilitimi është një fakt thelbësor”, ka theksuar Paolo Pisani, drejtor i Otolaringologjisë dhe Kirurgjisë së Kokës dhe Qafës në Spitalin e Astit.

Zbulimi i sëmundjes në fillim do të thotë të jesh në gjendje të shpëtosh pjesën e trupit nga ndërhyrjet invazive.

Megjithatë, nevojiten ekipe multidisiplinare specialistësh, të aftë për t’u ofruar pacientëve përvojën dhe të gjitha aftësitë e nevojshme për trajtimin e këtyre tumoreve, dhe qendra në të cilat specialistët e ndryshëm për këto tumore marrin vendime në konsultim me njëri-tjetrin.

Kush është më i rrezikuar?

Këto neoplazi prekin më shpesh meshkujt, të prekur me një incidencë dy deri tre herë më të lartë se femrat, dhe te personat mbi 40 vjeç, megjithëse rastet te femrat dhe te personat nën 40 vjeç janë në rritje.

Dhe faktorët kryesorë të rrezikut janë alkooli dhe duhani, të cilët shkaktojnë afërsisht 75 për qind të rasteve.

Njerëzit që përdorin të dyja janë në rrezik në mënyrë eksponenciale më të lartë.

Po ashtu nuk duhet nënvlerësuar edhe virusi papilloma (HPV),përgjegjës për disa lloje tumoresh cervikale-cefalike.

Në 30 vitet e fundit, ka pasur një rritje 300 për qind të kancereve orofaringeale (ose gojës), veçanërisht të bajameve, për shkak të infeksionit HPV.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore