Lajme

“Trust jo, Martin po”, Krasniqi: Kurti nuk ndjen dhembshuri për qytetarët


Memli Krasniqi

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi nisma ligjore e iniciuar nga 21 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës për t’u mundësuar tërheqja e 30 për qind të parave nga trusti pensional nuk ka arritur të kalojë në lexim të parë.

Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ironizoi me kryeministrin e Kosovës duke përmendur rastin e Martin Berishaj, ambasadorit i cili dyshohet të jetë i përfshirë në një skandal financiar me përmasa të mëdha.

“Sa t’i kenë për miq, anëtarë të partisë e zyrtarë të lartë tipat si Martin Berishaj, është normale që këtij Kryeministri do t’i mungojë vazhdimisht sensi i empatisë ndaj krizës me të cilën po ballafaqohen qytetarët”, shkroi ai.

Numri një i PDK-së, vlerësoi se në vend të mbështetjes e ndihmës, e tëra që po përfitojnë qytetarët nga ekzekutivi është keqqeverisja, skandalet korruptive, papërgjegjësia, regresi ekonomik e vështirësimi i jetës së tyre.

“Si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, është hera e dytë që me kërkesë të qytetarëve vjen në Kuvend nevoja për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i dhe po ashtu është hera e dytë që kjo mazhorancë e injoron”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili ka argumentuar gjatë gjithë kohës se tërheqja e mjeteve nga trusti pensional është e demosdosshme, e ka quajtur të turpshëm votimin e deputetëve  të partisë në pushtet kundër tërheqjes së 30 perqind të trustit.

“Edhe më turpërues për demokracinë presioni i LVV-së mbi deputetët  nga hapësira e sallës së Kuvendit , nga zona  dedikuar për mysafirë nga përsona N.N. të LVV-së vetëm e vetëm për ta kundërshtuar kërkesën e qytetarēve”, shkroi ai në Facebook.

Ndryshe, nga 97 deputetë që votuan për “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”, vetëm 42 kanë votuar pro, derisa 55 kundër dhe nuk ka abstenuar asnjëri.

Pas një debati të gjatë me polemika të shumta, argumentin me vota e ka fituar pushteti, derisa deputetët e opozitës menjëherë pas votimit kanë lëshuar sallën.

Nuk kalon projektligji për Trustin, Vetëvendosje ishte kundër

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore