Lajme

Truss: Bisedimet bërthamore të Iranit po i afrohen një ngërçi të rrezikshëm


Bisedimet për të ringjallur një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 midis fuqive perëndimore dhe Iranit po i afrohen një ngërçi të rrezikshëm. Kjo ka qenë deklarata e sekretares së Jashtme britanike, Liz Truss, të martën e 25 janarit.

“Kjo negociatë është urgjente dhe përparimi nuk ka qenë mjaftueshëm i shpejtë. Ne vazhdojmë të punojmë në partneritet të ngushtë me aleatët tanë, por negociatat po arrijnë në një ngërç të rrezikshëm”, tha Truss në parlament.

Liz Truss

Ajo e përmbylli, duke vënë theksin se, “Irani tani duhet të zgjedhë nëse dëshiron të përfundojë një marrëveshje apo të jetë përgjegjës për rënien e JCPOA-së (marrëveshjes bërthamore). Dhe nëse JCPOA-ja shembet, të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Që nga viti 2019, Irani ka shkelur shumë nga kufizimet e paktit që synojnë të zgjasin kohën që do t’i duhej për të gjeneruar mjaftueshëm uranium të pasuruar me zbërthim për një bombë bërthamore.

Irani thotë se po ndjek pasurimin vetëm për përdorime civile.

Irani ka miratuar një pozicion pa kompromis, duke kërkuar heqjen e të gjitha sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të vendosura që nga viti 2017, përfshirë ato që nuk kanë lidhje me programin e tij bërthamor, në një proces të verifikueshëm”.

2015-2018

Nën udhëheqjen e Barack Obamës, në vitin 2015, SHBA-të dhe Irani nënshkruan një marrëveshje bërthamore, me garantë të saj vende si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina.

Dy pikat thelbësore ishin ulja e pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit dhe heqja e disa sanksioneve perëndimore ndaj republikës islamike.

Marrëveshja do të funksiononte për tre vjet. Por, me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të ish-presidentit Donald Trump, rrjedha e ngjarjeve do të ndryshonte.

Vetëm një vit pas marrjes së postit, në 2018-ën, Trump e tërhoqi Amerikën nga pakti.

Ai riktheu sanksione të fuqishme ndaj Iranit dhe zyrtarëve të lartë atje. Një luftë e vërtetë diplomatike nisi mes dy vendeve.

Aq sa paramendohej se mund të kishte një konflikt real midis dy shteteve historikisht rivale.

Tonet e ashpra vijuan deri në ndërrimin e pushtetit në SHBA.

Në janar 2021, Joe Biden u bë president. Faqja e diplomacisë amerikane ktheu rrjedhë.

Zotimi i qartë: Vëmendja jonë është marrëdhënia e mirë me çdo shtet të botës.

Në çështje ishte edhe rikthimi i mundshëm i Washington-it në marrëveshjen e 2015-ës.

Mirëpo, bisedimet, pas edhe një krize të madhe mes dy vendeve, nuk ishin të thjeshta.

Të njëjtët aktorë, që u bënë “dëshmitarë” të marrëveshjes, filluan angazhimin për nisjen e tryezave të përbashkëta të ndërmjetësuara.

Një e tillë nuk është arritur ende.

Gjithsesi ka pasur nuanca dhe përpjekje, me tryeza të veçanta komunikimi mes partnerëve dhe dy vendeve të përfshira drejtpërdrejt.

Pushteti në Irani ndërroi po ashtu fytyrë këtë vit.

Ebrahim Raisi u bë president dhe pikëpamjet e tij janë edhe më radikale ndaj amerikanëve, në krahasim me paraardhësin Hassan Rouhani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore