Gjykata Speciale

Trupi gjykues kërkon më shumë seanca publike ndaj ish krerëve të UÇK-së, lëshohet urdhër


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, përmes informimit javor ka deklaruar se është lëshuar urdhër nga trupi gjykues që seancat ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të jenë sa më shumë në seancë publike.

“Ky urdhër gojor vjen pas një urdhri të mëhershëm të trupit gjykues këtë vit, që i udhëzonte palët të mbanin parasysh parimin procesit publik dhe të paraqitnin sugjerime konkrete për siguruar një shkallë më të madhe të mbajtjes së gjykimit në seanca publike, duke pasur parasysh numrin e seancave private dhe të mbyllura”, tha Doyle.

Ndërsa sqaroi se në përputhje me këtë urdhër, palët duhet të rishikojnë transkriptat e gjykimit nga seancat private të përcaktuara brenda afateve.

“Krahas kësaj, si rregull i përgjithshëm, palët duhet ta identifikojnë mjaftueshëm një dëshmitar të mbrojtur ose informacion konfidencial në secilën kërkesë për redaktim të informacionit”.

“Kur ta bëjnë këtë, ata duhet të mbajnë parasysh nevojën për të siguruar që gjykimi të zhvillohet sa më shumë në seanca publike, ndërkohë që sigurojnë mbrojtje efektive për ata të cilëve u janë miratuar masa mbrojtëse”, tha Doyle.

Ai potencoi se gjatë kësaj jave në çështjen gjyqësore janë dëgjuar tre dëshmitare.

“Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, dëshmitari i 32-të i thirrur nga Prokuroria, z. Predrag Dediç, përfundoi dhënien e dëshmisë të enjten e kaluar, 2 nëntor”.

“Të hënën, më 6 nëntor, z. Gjergj Dedaj, dëshmitari i 33-të i thirrur nga Prokuroria, filloi dhënien e dëshmisë dhe e përfundoi atë pas pyetjeve të Prokurorisë dhe pasi u mor në pyetje nga dy prej katër ekipeve të mbrojtjes dhe nga trupi gjykues. Dëshmitari i 34-të, Dragan Ivanisheviç, filloi dhënien e dëshmisë sot paradite”, tha ai.

Sa i përket çështjes së Isni Kilajt, Doyle tregoi veprat penale për të cilat dyshohet ai.

“Urdhri për arrestimin e Isni Kilajt u lëshua nga prokurorja e specializuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, tha zëdhënësi i DhSK-së.

Zëdhënësi i DhSK-së, njoftoi se më 3 nëntor gjithashtu është mbajtur edhe një seancë mbi ecurinë e çështjes ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit.

“Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 2 nëntor, administratorja informoi gjykatësin e procedurës paraprake se Januzi ka zgjedhur z. Xhonatan Elistan Ris për mbrojtës dhe se administratorja miratoi në mënyrë të kushtëzuar z. Hju Bauden si bashkëmbrojtës të Januzit”, tha Doyle.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore