Lajme

Trump padit Hillary Clinton – pretendon se kishte krijuar “komplot” për të manipuluar zgjedhjet e vitit 2016


Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka paditur ish zonjën e parë, Hillary Clinton, Komitetin Kombëtar Demokratik dhe njerëz e entitete të tjera të lidhura me hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016, duke pretenduar se në një përpjekje për të manipuluar zgjedhjet ata orkestruan një komplot që e bëri Watergate “të zbehtë në krahasim”.

Prokurori, Mark Pomerantz që e kishte udhëhequr një hetim penal kundër Donald Trump përpara se të jepte dorëheqjen muajin e kaluar, tha në letrën e tij të dorëheqjes se ai beson se ish-presidenti është “fajtor për shkelje të shumta ligji” dhe ai nuk u pajtua me vendimin e prokurorit të qarkut të Manhattan për të mos kërkuar një aktakuzë.

Donald Trump.

Padia erdhi një ditë pas publikimit të një letre nga një prokuror në Nju Jork, i cili thoshte se ai besonte se Trump ishte “fajtor për shkelje të shumta ligji” në çështjet e tij të biznesit, pavarësisht se prokurori i qarkut në Manhatan vendosi të mos padisë.

Trump mundi Clinton për presidencën në vitin 2016. Megjithatë, gjashtë vjet më vonë ai pretendon se ajo është fajtore për “shantazh” dhe një “komplot për të kryer gënjeshtra të dëmshme”, mes pretendimeve të tjera.

Padia prej 108 faqesh pason paditë e ngritura nga Trump dhe aleatët pas zgjedhjeve të vitit 2020, duke pretenduar se fitorja e Joe Biden ishte rezultat i mashtrimit elektoral.

Midis atyre të listuar gjithashtu si të pandehur në padinë e re janë ish-zyrtarët e FBI-së, James Comey, Andrew McCabe, Peter Strzok dhe Lisa Page.

Po ashtu edhe ish-spiuni britanik Christopher Steele, autor i një dosjeje të famshme mbi lidhjet e Trump me Moskën, Jake Sullivan, tani këshilltar për sigurinë kombëtare të Joe Biden dhe John Podesta, kryetar i fushatës së Klintonit.

Këto padi janë parë gjerësisht si taktika vonuese, që synojnë të ndihmojnë Trumpin të presë komisionin e 6 janarit derisa republikanët të mund të rimarrin Dhomën e Përfaqësuesve këtë nëntor dhe të pezullojnë hetimin.

Robert Mueller, këshilltari i posaçëm që hetoi çështjen, nuk vendosi marrëveshje të fshehtë midis Trump dhe Rusisë, por renditi 10 raste në të cilat presidenti i atëhershëm mund të jetë përpjekur të pengojë drejtësinë.

Mueller, i cili në mënyrë eksplicite tha se nuk po e shfajësonte Trump, detajoi gjithashtu disa lidhje midis ndihmësve të Trump dhe Moskës.

Në gusht të viti 2020, një komitet i inteligjencës së Senatit raportoi lidhjet e detajuara midis Paul Manafort, menaxherit të fushatës së Trump për një pjesë të garës 2016, dhe inteligjencës ruse.

Manafort u burgos me akuzën e mashtrimit. Trump e fali atë.

Pavarësisht, padia e re e Trump pretendon se në prag të zgjedhjeve të 2016-ës, “Hillary Clinton dhe kolegët e saj orkestruan një komplot të paimagjinueshëm – atë që trondit ndërgjegjen dhe është një fyerje për demokracinë e këtij kombi”.

Hillary Clinton.

“Duke vepruar së bashku, të pandehurit komplotuan në mënyrë dashakeqe për të thurrur një narrativë të rreme se kundërshtari i tyre republikan, Donald J Trump, po bashkëpunonte me një sovranitet të huaj armiqësor”, thuhej në padi.

Padia pretendon se komploti përfshinte “falsifikim të provave, mashtrimin e zbatimit të ligjit dhe shfrytëzimin e aksesit në burime të dhënash shumë të ndjeshme” në një komplot “aq skandaloz, subversiv dhe ndezës saqë edhe ngjarjet e Watergate zbehen në krahasim”.

Clinton dhe kolegët e saj të pandehur, pretendon ai, “kërkuan me ligësi të ndikojë besimin e publikut” dhe “punuan së bashku me një qëllim të vetëm egoist: për të fyer Donald J Trump”.

Sipas padisë, “mashtrimi, keqdashja dhe tradhtia e kryer nga të pandehurit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm popullit amerikan dhe paditësit Donald J Trump, dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre të urryera”.

Padia kërkon “dëmtime ndëshkuese, shpenzime dhe lehtësim të mëtejshëm dhe të tjerë që kjo gjykatë mund ta konsiderojë të drejtë dhe të duhur”.

Ai thotë se Trump “ka pësuar lëndime dhe dëme të konsiderueshme, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, shpenzimet në formën e kostove të mbrojtjes, tarifave ligjore dhe shpenzimeve të lidhura me të në një shumë jo më pak se 24 milionë dollarë dhe që vazhdojnë të rriten, si dhe humbjen të mundësive të biznesit ekzistues dhe të ardhshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore