Film

Trocki në Netflix, realitet apo propagandë?


Alexander Kott, Konstantin Statsky/SREDA Production Company, 2017

100 vjetorin e Revolucionit Bolshevik, televizioni rus e shënoi me serinë tetë episodëshe “Trocki”.

Ky serial në rend të parë, është parë si shpërfaqës i teknikave të shëmtuara propagandistike ruse për shtrembërimin e realititeve historike.

Regjimi i atëhershëm i Stalinit me sukses figurën e Trockit e kishte shndërruar në agjent të imperializmit britanez, produkt të fashizmit gjerman, dhe në perandor mikado japonez, si antikrisht judeo-bolshevik, e gjëra të tilla të ngajshme.

Numri i falsifikimeve dhe fiksioneve në këtë setial është aq i madh, sa që duhet të trajtohet temë në vete.

Gazeta spanjolle El Pais e ka quajtur serinë si “vrasja e Trockit për të dytën herë”, dhe portretizimin e Trockit si “sadist, tradhtar, dhe marionetë” një propagandë tipike, kurse Esteban Volkov, nipi 95 vjeçar i Trockit e ka quajtur si “sulm politik i maskuar në dramë historike” dhe “justifikim për vrasjen e ‘përbindëshit’ Trocki”.

Kritikë të shumtë si David North, Clara Weiss, Fred Williams etj, e kanë parë jo vetëm si fabrikim dhe huqje e plotë e qëllimshme apo jo historike, por edhe si antisemitizëm i egër dhe i stërholluar.

Stereotipe antisemitiste paraqiten me lehtësinë dhe lirinë më të madhe në seri, saqë edhe shpërthimi i revolucionit të tetorit shndërrohet këmbë e kokë konspiraci hebreje, me një mjeshtëri thuajse gebellsiane.

Në një bisedë krejtësisht të fabrikuar me Jacson (intervistuesin dhe vrasësin e tij), Trocki i thotë se ia kishte falur pushtetin Leninit sepse një hebre si ai “s’do kisha mundur as një muaj të qëndroj në pushtet”.

Një tjetër portretizim i errët i tij është kur ai i thotë shoqërueses së tij, Nataljës, se “populli është grua e dobët, populli ka psikologji gruaje” dhe e pyet se “një popull që ka jetuar nën tirani për dekada, a meriton gjë tjetër përveç se të përbuzet?”.

Në një skenë tjetër sytë e Trockit bëhen të zezë, dhe Xhekson thotë se “ky, bukfalisht, është djalli”. Dhe demonizimi ose shndërrimi i Trockit në figurë mefistofeliane është lajtmotivi ose elementi ripërsëritës gjatë tërë serialit.

Luke Johnson, në një artikull në Washington Post, që e titullon “Po e shihni propagandën më të madhe ruse në Neflix”, shkruan se

“Seriali Trocki flet gjuhën e Kremlinit të ngjarjeve bashkëkohore. Në një skenë një ditë pas Revolucionit të Tetorit, pas përmbysjen së qeverisë së përkohshme, Lenini konfrontohet me Trockin, duke ia zhvleftësuar veprimet e ditës së mëparshme, duke i quajtur si ‘grushtshtet’ dhe duke ia mohuar veprat revolucionare”, shkruan Johnson ne Washington Post.

Tutje ai vazhdon se “Ky dialog jehon ngjarjet e Ukrainës së 2014-e, kur mediet shtetërore ruse e quajnë rrëzimin e Presidentit pro-rus Viktor Janukoviç një “grushtshtet” dhe jo një revolucion”.

Ai e sheh të gjithë serialin Trotsky si në pajtim të plotë me botëvështrimin e Kremlinit, dhe si ideologjia Ruse anti-revolucionare që synon t’a portetizoj veten globalisht.

Në historinë zyrtare ruse shkruhet se ishte synuar që Rusia të shkundej përbrenda, si tradhti e plotë nga njerëz brenda. Pikërisht këtë historiografi e paraqet seriali në Netflix Trotsky.

Kur e sheh Trockin në Netflix, i gjithë skenari është i ndërtuar mbi paraqitjen se Trocki ishte ideatori në hije i revolucionit, që e shfrytëzon imazhin publik të Leninit, ky i fundit i cili e krijon përbindëshin Stalin, përbindësh ky që i del jashtë kontrollit, dhe gati se frankenshtajntisht shkatërron gjithçka – dhe e gjitha shndërrohet në një narracion bashkëkohor që është në pajtim të plotë me botëvështrimin e tashëm të Kremlinit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore