Përballje

Trepça është gjysmëfinalisti i tretë në Superkupën e Kosovës në basketboll


Trepça është skuadra e tretë që kualifikohet në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës në basketboll, pas Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit.

Ekipi mitrovicas e mposhti Rahovecin me rezultat të thellë 82:66.

Mitrovicasit e nisën më mirë ndeshjen dhe kishin epërsi deri në tetë pikë, por në fund të çerekut të parë, rahovecasit me një seri të suksesshme ngushtuan shifrat në 25:22, sa përfundoi kjo pjesë.

Por, shkëputja e madhe e ‘Xehetarëve’ u bë në periudhën e dytë, ku ishin bindshëm më të mirë dhe lejuan ‘Vreshtarët’ të shënojnë vetëm shtatë pikë për dhjetë minuta, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 51:29.

Megjithatë, skuadra nga Rahoveci nuk u dorëzua dhe ishin më të mirë në periodën e tretë, për të tentuar përmbysjen e madhe, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 66:52.

Në dhjetë minutat e fundit, u zhvillua lojë kryesisht e barabartë, me Vreshtarët që synonin rikthimin dhe mitrovicasit që ruajtën epërsinë dhe triumfuan 82:66, ndërsa në gjysmëfinale e presin fituesin e ndeshjes Peja-Bashkimi.

Te Trepça u dalluan Drilon Hajrizi me 19 pikë e shtatë kërcime dhe Erjon Kastrati me 15 pikë e shtatë asistime, kurse te Rahoveci më i miri ishte Jahi Carson me 20 pikë e pesë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore