Gjykata Speciale

Trendafilova: Jemi duke pritur vendimin final rreth ndalimit të vizitave për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë


Ekateria Trendafilova

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekateria Trendafilova, duke komentuar urdhrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që tre ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – t’ua pezullojë vizitat dhe komunikimet me jashtë, ka thënë se janë duke pritur vendimin përfundimtar.

Gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile, të mërkurën në Prishtinë, ajo ka thënë se takimet midis ish-krerëve të UÇK-së dhe avokatëve mbrojtës janë të shenjta, ndërsa ka shtuar se nuk monitorohen ngja ZPS-ja sikurse në rastin e vizitave të familjarëve, miqve ose bashkëpunëtorëve në dhomat e paraburgimit në Hagë të Holandës.

“Sa i përket kushteve, mendoj që unë kam shpjeguar që pritet të ketë një vendim final, në këtë mocion urgjent nga prokurori, për limitimin e komunikimeve për tre të akuzuarit. Unë nuk kam marrë pikëpamjet e prokurorit dhe as të mbrojtjes. Duhet të shohim se çfarë vendosë trupi gjykues”, ka deklaruar Trendafilova të mërkurën.

“Kjo, siç thashë, është e rëndësishme që takimet me mbrojtjen nuk mund të jetë të kufizuara, pa asnjë monitorim. Kjo është një marrëdhënie e shenjtë midis një klienti dhe mbrojtjes së tij. Ata nuk do të privohen fare nga vizitat. Sa i përket familjarëve, gjyqtarët do të vendosin për sugjerimet se kush do të dëshironte të kishte vizita të vazhdueshme”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

ZPS-ja ka pretenduar se tre të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë. Nga ZPS-ja është pretenduar se ata deri më tash i kanë shfrytëzuar vizitat për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore