Gjykata Speciale

Trendafilova ia futi kot – Specialja s’mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm


Deklarimi i Presidentes së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trëndafilova, se Gjykata Speciale mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm nuk është i vërtetë.

Juristët në Kosovë kanë shpjeguar për Albanian Post se përkundër që me Kodin Penal të Kosovës për veprat për krime lufte parashihet dënimi me burgim të përjetshëm, ai nuk mund të zbatohet, meqë nuk ka qenë në fuqi gjatë viteve 1998-99, për periudhën që Specialja pretendon se janë kryer krimet nga ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Me Kodin Penal të Kosovës ka mundësi të shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm, por se ky kod nuk ka qenë në fuqi në vitet 98-99. Ekziston një parim ndërkombëtarisht i pranuar se ligji i mëvonshëm nuk mund të zbatohet nëse është në disfavor të të pandehurit”, sqaron avokati Artan Qerkini për AP.

Prandaj, Qerkini thekson se nuk pajtohet me Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, e cila në një takim me gazetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile në Prishtinë u shpreh e bindur që Specialja mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm.

Artan Qerkini“Në jurispodencën e gjykatave kosovare përfshi këtu edhe gjykatat e EULEX-it, tashmë është konstatuar që dënimi maksimal i cili mund të shqiptohet nga gjykatat vendore për veprën penale krime lufte dhe kundër popullatës civile është 15 vite burgim”, potencoi ai.

Qerkinin shpreson se gjyqtarët në Hagë do jenë të pavarur dhe nuk do t’i nënshtrohen qëndrimeve juridike të kryetares.

Edhe juristi Anton Nrecaj nënvizon faktin që përkundër Kodit Penal aktual, gjithmonë zbatohet parimi ligjit më të favorshëm.

“Ky parim është zbatuar në të kaluarën dhe do të zbatohet edhe në këtë proces. Dënimi me burgim të përjetshëm mund të shqiptohet vetëm në raste kur personi i akuzuar për krime lufte ka kryer vrasje masive ndaj popullatës civile, ngjashëm si situatën e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç”, thekson ai.

Anton Nrecaj

Por, në bazë të procesit gjyqësor të deritashëm ndaj ish-krerëve të UCK-së, sipas Nrecajt nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer vrasje masive, për çka do mund të dënoheshin me burgim të përjetshëm.

“Deri më tani nuk kemi parë që ka pas situatë të tillë ndaj asnjërit prej të akuzuarve. Andaj, një deklaratë e tillë nga Trendafilova është shumë tendencioze dhe aspak e pranueshme”, insiston ai.

Gjatë muajit dhjetor të vitit 2022, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ishte dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

S’përjashtohen dënime të përjetshme për krerët e UÇK-së – Trëndafilova 3 orë llafe në Prishtinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore