Tregjet

Tregu i kriptomonedhave lë pas kompanitë më të mëdha


Tregu i kriptomonedhave tani vlen më shumë se çdo kompani tjetër në botë.

Të mërkurën e 14 prillit, vlera e kombinuar e të gjitha kriptovalutave kapërceu vlerën e tregut të kompanisë teknologjike “Apple”. Kjo erdhi pasi çmimet e Bitcoin, Ethereum (eter) dhe Dogecoin, kapën vlera rekord.

Të tre kriptovalutat, gjatë 24 orëve të fundit, përjetuan ngritjen më të lartë të të gjitha kohërave. Një Bitcoin kaloi vlerën e 64 mijë dollarë, një Ethereum blihet me 2 mijë e 350 dollarë dhe një Dogecoin arriti vlerën e 0,13.

Fitimet e kombinuara e rritën tregun e kriptovalutave mbi 2.2 trilionë dollarë, 10 miliardë dollarë më shumë se tregu i Apple.

Vetëm kriptomonedhat Bitcoin, deri tani, kapin vlerën e më shumë se 1.2 trilionë dollarë. Kjo e renditë atë mbi median sociale Facebook dhe kompaninë e makinave elektrike, Tesla. Vlera e monedhës kapi shifrat stratosferike pasi çmimi i saj u rrit më 1000% që nga muaji prill i vitit të kaluar.

Fitimet e fundit të Bitcoin nënkuptojnë që kriptomonedha tani vlen më shumë sesa kompanitë e pagesave Mastercard, PayPal dhe Visa, së bashku.

Edhe pse mbetet ende shumë larg vlerës së përgjithshme të arit, Bitcoin po arrin shpejt argjendin.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore