Lajme

Tregu gri i Zara-s në Rusi, rehati për konsumatorët


Investitori Aleksandr Gorbunov kishte një zgjidhje të thjeshtë kur Zara mbylli dyqanet e saj në Rusi.

Zgjidhja ishte t’i importonte vetë mallrat.

“Ideja për të filluar shitjen e Zara-s erdhi nga gruaja ime, e cila donte me të vërtetë që rrobat të ktheheshin”, ka treguar ai.

Madje, ai po hap një dyqan të quajtur Panika që do të merret ekskluzivisht me produktet Zara dhe Zara Home.

Shumë shpejt ai gjeti një shitës në Kazakistan, i cili merrej me rrobat Zara dhe importoi një grumbull veshjesh për 1.5 deri në dy milionë rubla.

Dhe pretendon se përfitimi i tij do të jetë vetëm 200 deri në 300 rubla.

“Kemi një stilist që zgjedh se çfarë të blejë nga koleksionet më të fundit… nuk duam thjesht ta mbushim dyqanin me rroba Zara”, ka thënë Gorbunov.

Kompanitë perëndimore po largohen nga Rusia në shenjë proteste kundër luftës dhe për të shmangur një reagim të mundshëm për fitimet në Rusi.

Por dalja e markave perëndimore ka një rëndësi të madhe politike, duke u kujtuar rusëve izolimin e tyre më shumë se sa sanksionet ndaj zyrtarëve të Kremlinit ose rezervave të bankës qendrore.

Rusia është përgjigjur duke publikuar një listë të gjatë të mallrave nga prodhuesit e huaj të makinave, kompanitë teknologjike dhe markat e konsumatorit që bien nën të ashtuquajturin mekanizëm të importit paralel.

Ky i fundit, të cilin po e ndjek edhe Gorbunov, u lejon firmave ruse të blejnë mallra nga çdo kompani jashtë Rusisë, pa miratimin e pronarëve të markave tregtare.

Çka hap portat për importet gri dhe skema të tjera për të mbajtur të mbushura raftet e dyqaneve.

Shpesh, produktet që mbërrijnë tani në Rusi fillimisht synohen për eksport në vendet që janë pjesë e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EEU) të udhëhequr nga Moska dhe me të cilët Moska ndan një bashkim doganor.

Në to përfshihet Armenia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Kirgistani.

Më pas, ato produkte dërgohen në Rusi dhe shiten në treg, me markat perëndimore që humbasin të gjithë kontrollin e shpërndarjes dhe shitjes së tyre.

Për sociologun Grigory Yudin, Kremlini ishte i prirur të mbante një “ndjenjë normaliteti në jetën e përditshme të rusëve” për të inkurajuar arratisjen që shumë rusë kanë përqafuar që nga fillimi i luftës.

Dhe se kjo ndjenjë normaliteti nënkupton gjithashtu se rusët kanë ende akses në të gjitha produktet me të cilat janë mësuar.

“Prandaj, importi paralel luan rolin e vet në sigurimin që jeta të mos ndërpritet nga lufta. Putini nuk do që rusët të ndryshojnë zakonet e tyre për shkak të luftës, por të vazhdojnë të jetojnë ashtu siç kanë jetuar”, ka theksuar ai.

Sipas sociologut, produktet e konsumit perëndimor që mund të duken të parëndësishme mund të kenë shumë vlerë për rusin mesatar.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore