Kosova

“Tregtoi rrymë nga një kompani sllovene që s’kishte licencë, e dëmtoi KEK-un mbi 3 milionë euro”: Çka thuhet në aktakuzën për Nagip Krasniqin


Nagip Krasniqi

Mbi 3.2 milionë euro dyshohet se i ka shkaktuar dëm Korporatës Energjetike të Kosovës ish-kryeshefi ekzekutiv i saj Nagip Krasniqi.

Kështu thuhet në aktakuzën ndaj tij për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar të ngritur më 19 gusht të këtij viti nga Prokuroria Speciale të cilën e ka siguruar Albanian Post.

Në aktakuzë jepen detaje se si Krasniqi nga viti 2021 deri më 2023 ka keqpërdorur pozitën, meqë i kishte mundësuar tregtimin e energjisë kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” në Kosovë, e cila nuk kishte fare licencë edhe pse për këtë ishte në dijeni.

“Për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Republikës së Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 Euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 Euro”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza

Ndërsa, më 19 prill të vitit të kaluar, Krasniqi ishte arrestuar nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i Krasniqit, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Më 2 dhjetor të vitit 2024, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Ndërkaq në letrën e tij përshëndetëse pasi u shkarkua nga pozita në fund të muajit prill të këtij viti, Krasniqi në platformën e tij në “LinkedIn” pati theksuar se nuk ka arritur ta përmbush plotësisht objektivin e tij, porse ka lënë “disa gjurmë të mira”.

“Ne humbëm disa beteja kyçe përgjatë rrugës, kemi humbur disa njerëz të mirë, dështuam të fitojmë…dhe këto janë disa nga shijet e mia të hidhura që i mora me vete. Por, ne lamë pas vete disa gjurmë të mira, dhe rrënjosëm thellë idenë dhe konceptin se ndryshimi dhe transformimi është i mundur”, pati shkruar ai.

“Po ashtu lamë prapa disa njerëz vërtetë të mrekullueshëm që do të vazhdojnë ndryshimit dhe përfundimisht do ta kompletojnë transformimin”.

Kush është Nagip Krasniqi?

Nagip Krasniqi ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje për shumë vjet dhe para se të emërohej nga Qeveria kryeshef i KEK-ut, kishte mbajtur pozitën drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.

Para se ta merrte drejtimin e KEK-ut, Nagip Krasniqi kishte punuar në dy banka në Kosovë e para se të punonte në sektorin bankar ishte punonjës në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Por, pozita e kryeshefit në KEK nuk ishte e para për të në këtë korporatë.

Nga 2006 deri në vitin 2008 ai kishte punuar në KEK si Drejtor Financiar. Nga aty, sipas raportimeve të kohës, ishte shkarkuar nen dyshime për keqpërdorime dhe mungesë të kompetencës profesionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore