Shqipëria

Tregtia e drogës e mbrojtur edhe ndaj inflacionit


Dëshironi të mbroheni nga inflacioni? Provoni drogën. Bandat shqiptare dhe ato të Amerikës Jugore janë shembull sesi inflacioni nuk ndikon në “pazarin e drogës”.

Edhe normat historike të larta të inflacionit që kanë ndikuar në ekonominë formale të Evropës, jo domosdoshmërisht kanë sjellë çmime më të larta për substancat ilegale si MDMA, kokaina dhe heroina.

Kjo, sipas Teodora Groshkovas, analistes kryesore shkencore në Qendrën Evropiane të Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga, e cila thotë se çmimet rrugës për shumicën e drogave “në shumicën e rasteve mbeten të qëndrueshme edhe me kalimin e kohës”.

I ashtuquajturi skimpflation, ku furnitorët ulin cilësinë e çdo gjëje që po shesin për të reflektuar rritjen e kostove të inputeve, mund të ndodhë ende.

“Çdo ndryshim në tregun më të gjerë zakonisht do të reflektohej në pastërtinë e drogave”, tha Groshkova.

Megjithatë, deri më tani, “fuqia e produkteve të kanabisit dhe pastërtia e drogave të tjera të paligjshme po rriten ose minimalisht mbeten të njëjta”.

Deri tani nuk është akoma plotësisht e qartë sesi organizatat kriminale kanë arritur të shmangin presionet e inflacionit.

Laborator droge i gjetur në Holandë

Groshkova sugjeron se zinxhirët e furnizimit në Evropë janë bërë shumë efikase, ndërsa bandat “e shkathta” janë profesionalizuar.

Integrimi horizontal mund të jetë gjithashtu një faktor.

Një analizë nga agjencia e BE-së për drogën përshkruan se si një bandë shqiptarësh ndërmori së fundmi hapin e pazakontë për të marrë kontrollin e importit dhe shpërndarjes së kokainës. Normalisht, importuesit punojnë veçmas nga tregtarët me shumicë dhe tregtarët e rrugës.

Duke përdorur mjete të kriptuara komunikimi, drejtuesi i organizatës, me qendër në Ekuador, negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës së Amerikës së Jugut, organizoi dërgesa të mëdha kokaine në portet kryesore të Evropës dhe, me ndihmën e bashkëpunëtorëve me bazë në Itali, Holandë dhe Shqipëri organizonte shpërndarjen për konsumatorët në të gjithë Evropën.

Kokaina kontrabandohet përtej kufijve evropianë, e fshehur në automjete të pajisura me xhepa të fshehur.

Kriminelët pastrojnë të ardhurat e tyre duke përdorur një sistem alternativ nëntokësor të remitancave me origjinë kineze, i njohur si sistemi fei ch’ien, i ngjashëm me sistemin e transferimit hawala.

Sipas raportit të fundit të BE-së për drogat, i cili mbulon të dhënat deri në vitin 2020, thuhet se akoma vazhdojnë të zbulohen dërgesa të mëdha që transportohen duke përdorur metoda që shpesh shfrytëzojnë infrastrukturën tregtare, veçanërisht dërgesat me kontejnerë.

Sasi kokaine e gjetur në kontenjerët me banane

Kjo është shoqëruar me risi në lidhje me rrugët e reja të trafikut, metodat e fshehjes dhe proceset e reja të prodhimit. Bashkimi Evropian është bërë gjithashtu një prodhues i rëndësishëm i disa drogave, si për konsum të brendshëm, ashtu edhe për tregun global.

Kjo tregohet nga çmontimi i mbi 350 laboratorëve të prodhimit të drogës në Bashkimin Evropian në vitin 2020.

Globalizimi duket se po nxit disa nga këto ndryshime, me një shqetësim të veçantë që është ndërveprimi më i madh që tani duket se ekziston midis grupeve kriminale me bazë ndërkombëtare dhe evropiane.

Një shembull shqetësues i kësaj mund të shihet në vëzhgimin e fundit se grupet meksikane të krimit kanë filluar të përfshihen me prodhimin e drogës sintetike brenda Bashkimit Evropian.

Mund të ndodhë gjithashtu që organizatat kriminale të kenë marzhe aq të konsiderueshme fitimi sa të jenë në gjendje të “thithin goditjet inflacioniste”, thotë Groshkova.

“Ata nuk i preferojnë, por munden”.

Të paktën për momentin, blerësit nuk kanë gjasa të vërejnë ndonjë ndryshim në koston e rritjes së çmimit.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore