Sport

Tre të arrestuar për kurdisje të ndeshjeve në basketbollin kosovar


Tashmë janë arrestuar tre persona gjatë ditës së premte nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike lidhje me kurdisjen e ndeshjeve në Superligën e Kosovës në basketboll.

Ne njoftimin nga Policia e Kosovës, thuhet se janë realizuar dy operacione të ndara, në tri rajone: Prishtinë, Prizren dhe Pejë, ku u arrestuan tre persona.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara, në tri rajone si në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Pas përfundimit të operacioneve, do të bëhen të ditura informacionet shtesë”.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme janë arrestuar dy persona, të cilët janë Daut Mehmeti, gjyqtar i supspenduar nga FIBA dhe trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati.

Me këtë rast ka reaguar edhe Federata e Basketbollit, ku thonë se do të luftojnë me ngulm çdo dukuri negative dhe mirëpret çdo vendim të organeve të vendit.

FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tonë.

Siç e ka dëshmuar në çdo instancë, Federata e Basketbollit e Kosovës do të luftojë me ngulm dhe vendosmëri çdo dukuri negative në sportin tonë, duke u angazhuar si përherë në garantimin e integritetit të garave tona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore