Lajme

Tre raketa goditën bazën turke në provincën e Irak-ut


Ushtarët turq marrin pjesë në një operacion kundër militantëve kurdë të PKK-së në rajonin Metina të Irakut verior (Foto nga agjencia turke e lajmeve Demirören)

Një numër raketash kanë goditur një bazë ushtarake në provincën veriore të Irakut, Nineveh.

Sipas raportimeve, në këtë zonë strehohen forcat ushtarake turke të përfshira në operacione të vazhdueshme.

Këto, kundër pozicioneve të supozuara të grupit militant të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në rajonin gjysmë autonom të Kurdistan-it.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia iraniane “Press Tv”, që citon rrjetin televiziv irakian al-Sumaria.

Kjo e fundit, raportoi se tre raketa ranë pranë bazës Zilkan në rajonin Bashiqa të Irak-ut verior gjatë të mërkurës.

Nuk ka pasur raportime të menjëhershme për viktima nga sulmet.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për bastisjen.

Bagdadi dhe Ankaraja zyrtare kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje.

Kjo, për aktivitetet e paautorizuara ushtarake të kësaj të fundit në rajonet kurde të Irakut.

Qeveria irakiane e ka kritikuar prezencën ushtarake të Turqisë si “shkelje të sovranitetit të vendit arab”.

Militantët e PKK – të përcaktuar si grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – përleshen rregullisht me forcat turke në juglindjen e Turqisë.

Një armëpushim i lëkundur midis PKK-së dhe qeverisë turke u shemb në korrik të vitit 2015. Sulmet ndaj forcave turke të sigurisë janë rritur që prej asaj kohe.

Më shumë se 40 mijë njerëz janë vrarë gjatë konfliktit prej tre dekadash midis Turqisë dhe grupit militant që kërkon autonomi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore