Lajme

Tre module të reja shtohen për evidentimin e rasteve të dhunës në familje


Foto nga ministria e Drejtësisë.

Të premten është lansuar baza e të dhënave me tre module të reja të inkuadruara për evidentimin e rasteve të dhunës në familje.

Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Drejtësisë, ku ka vlerësuar lart përkushtimin në avancimin e kësaj baze të dhënave.

“Tre module të reja i janë shtuar bazës së të dhënave, për evidentimin e rasteve të dhunës në familje”.

“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vlerësuar lart përkushtimin në avancimin e kësaj baze të të dhënave, ku janë inkuadruar edhe modulet për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Shërbimin Sprovues të Kosovës, dhe Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas”, ka thënë Haxhiu.

Në këtë ngjarje të pranishëm kanë qenë edhe drejtorët e të gjitha rajoneve të Policisë, të cilët kanë pranuar certifikatat për mbi 100 policë nga të gjitha rajonet e Kosovës.

“Ministrja Haxhiu ka falënderuar Bashkimin Evropian për përkrahjen e pa rezervë, UN Women, dhe UNDP-në të cilët kanë mundësuar zhvillimin dhe avancimin e kësaj baze të dhënash”.

Më 1 dhjetor, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se që nga muaji janar i 2023-ës janë raportuar rreth 2 mijë raste të dhunës në familje.

Haxhiu, ka vlerësuar se numri i rasteve është edhe më i madh.

Por që sipas saj, “mungon raportimi shkak i mungesës së besimit në institucione dhe rrethanave të tjera”.

“Gjatë periudhës nga janari deri tani konsiderohet se janë rreth 2 mijë raste të dhunës të cilat janë të raportuara, ne si institucione po punojmë që secili rast i dhunës të raportohet pra edhe përkundër faktit që statistikat janë të larta unë konsideroj që ka ende rast që nuk po raportohen për shkak të mungesës së besimit në institucione apo arsyeve dhe rrethanave të tjera”.

Në raportet 24 orësh të Policisë së Kosovës, në shumë raste figuron numër i madh i raportimit të rasteve të dhunës në familje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore