Kosova

Trazirat e “17 mars 2004”, gjeneza e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe


Jo me marrëveshjen e vitit 2013 dhe as me këtë të vitit 2023.

Ideja për t’u dhënë të drejta të zgjeruara pakicave dhe komuniteteve të cilat jetojnë në Republikën e Kosovës, buron nga Konferenca e Rambujesë e cila filloi punimet nga data gjashtë shkurt e vitit 1999, thotë Arsim Bajrami, një nga politikanët dhe juristët që ka marrë pjesë në role të ndryshme në të gjitha etapat shtetformuese të Kosovës.

“Janë disa pjesë të marrëveshjes së Rambujesë që i referohen të drejtave shtresë të pakicave”, tregon Bajrami, Profesor i të Drejtës Kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës.

Por, zgjerimi i kësaj ideje në një Asociacion komunash me bazë etnike, ngre krye me 17 mars të vitin 2004, thotë Bajrami.

“Historia e Asociacionit fillon nga ngjarjet e marsit të vitit 2004. Ka pasur një dhunë ndaj disa objekteve fetare dhe prej atëherë ka lind ideja e decentralizimit”, kujton.

“Pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004, fokusi i Bashkësisë Ndërkombëtare ka qenë i orientuar në dy drejtime. E para, në drejtim të definimit të statusit të Kosovës në kuptim të pavarësisë së Kosovës, por edhe në aspektin e decentralizimit, përkatësisht krijimit të një decentralizmi i cili është i bazuar në komponentin etnike”, thotë ai në një prononcim për Albanian Post.

“Kështu që besoj që ngjarjet e marsit kanë pas një theks të drejtpërdrejtë në krijimin e komunave me shumicë serbe por, edhe ideja e asociacionit mendoj që buron që nga atëherë, sepse Bashkësia Ndërkombëtare që nga trazirat e marsit ka synuar që të krijoj mekanizma shtesë kushtetues për të garantuar një lloj pushteti sa më të fuqishëm për komunat me shumicë serbe”, vazhdon Bajrami, ish-Kryesues i komisionit kushtetues për përgatitjen e amendamenteve kushtetuese për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë në Kosovë.

Tani, ajo çka po thotë sot Escobar, por edhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë për domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit, sipas Bajrami, është detyrim shtetëror.

“Ai nuk është detyrim individual i një Kryeministri, i një Presidenti apo i një Kryeparlamentari, por ajo është një detyrë shtetërore”.

Fatmirësisht kjo detyrë nuk është e vështirë, thotë më tej Bajrami, meqë në këtë proces kishte interferim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila, “në një mënyrë e ka lehtësuar shumë këtë proces, sepse ka treguar, apo ka ndërtuar fizionominë e këtij asociacioni. Duke thënë se asociacioni duhet të jetë në plotni, jo vetëm me shkronjën por edhe me frymën e Kushtetutës së Kosovës”.

Kryesues i grupit punues për themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arsim Bajrami është i bindur se ndërkombëtarët nuk do të lejojnë që ky format i dhënies së kompetencave për serbët, të krijojë një bosnjëzim të Kosovës.

“Për shkak të gabimeve që janë bërë me Bosnjën, me marrëveshjen e Dejtonit, Bashkësia Ndërkombëtare është shumë hezituese sa i përket termit kushtetues të autonomisë, apo të ndonjë Republike Serbe, apo të ndonjë etniteti federal, dhe ka zëvendësuar edhe terminologjinë dhe në vend të saj tani po koncentrohet kryesisht te ajo që tani po quhet asociacion apo një sistem i zgjeruar i vetëmenaxhimit apo i vetëqeverisjes për komunitetin serb”.

“Dhe jo vetëm i terminologjisë, por edhe i formatit, sepse për shkak se është kuptuar se një instalim i një entiteti në aspektin etnik siç është Republika Serbe në Bosnje, jo që nuk do të ishte një zgjidhje e problemit, por do të ishte një shkaktar i destabilizimit dhe krizave në Evropë e posaçërisht në Kosovë”, shpjegon më tej Kryesuesi i grupit punues për themelimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arsim Bajrami.

“Duke qenë se ne e kemi pasur një prezencë të fuqishme në shtet ndërtim, atëherë Bashkësia Ndërkombëtare ka vendosur edhe kushte, se si duhet të dizajnohet shteti i Kosovës. Dhe përmes planit të Ahtisaarit është arritur ajo marrëveshja e shteteve kryesore të BE-së që të njihet Kosova me anekset e planit të Ahtisarit”, përfundon Bajrami.

Çka ndodhi më 17 mars të vitit 2004?

19 vite më parë, më 17 mars të vitit 2004, në Kosovë shpërthyen trazirat.

Gjithçka nisi nga një incident në Mitrovicën e Veriut, ku mbetën të vdekur dy fëmijë. Rrethanat për mbytjen e këtyre fëmijëve në lumin Ibër ende nuk dihen, por ky rast bëri që në gjithë Kosovën të ketë të vrarë nga shqiptarët dhe serbët.

Disa i fajësojnë mediat, e disa edhe organizatorët e protestave të marsit 2004, që në fakt ende nuk dihet se kush ishin.

Dy fëmijë të mbytur në lumin Ibër ishin arsye që në Kosovë të ketë trazira.

19 persona mbeten të vrarë, 11 prej tyre shqiptarë, e 8 serbë.

Raportet ndërkombëtare fajësojnë disa nga mediat nacionale që aso kohe kishin intervistuar disa fëmijë shqiptarë, që ishin dëshmitarë të mbytjes së fëmijëve tjerë në lumin Ibër.

Ata kishin fajësuar serbët për vdekjen e dy vogëlushëve shqiptarë.

Fëmijët, pretendonin se serbët kishin lëshuar qentë në drejtim të fëmijëve shqiptarë, e këta të fundit duke ikur, kishin gjetur vdekjen në lumin Ibër.

E vërteta e këtij rasti edhe sot e asaj dite nuk është zbuluar asnjëherë. Askush s’ka nxjerrë ndonjë provë për ta vërtetuar si dhe nga kush u vranë ata fëmijë.

Një natë pasi fëmijët shqiptarë gjeten vdekjen në Mitrovicë, në të gjitha anët e Kosovës të nesërmen shpërthyen protesta të mëdha dhe të dhunshme.

Organizatorët e atyre protestave, as sot e asaj dite nuk dihet kush ishin. Por, ajo çka dihet është se pasojat ishin të mëdha atëherë, e madje disa prej tyre ndihen edhe sot.

Policia e UNKIK-ut aso kohe nuk tregonte të vërtetën se çfarë kishte ndodhur, e në anën tjetër serbët shfrytëzuan këtë situatë për ta paraqitur Kosovën si luftnxitëse, duke paraqitur edhe politikanët kosovarë si persona që nuk mund të jetojnë në një vend multietnik.

Të gjitha misionet ndërkombëtare hartuan raporte për të evidentuar gjithë eskalimin e situatës. Por asnjëherë fajtorët nuk arritën të dalin para drejtësisë.

Raporti i skeretarit të përgjithshëm të UNMIK-ut tregonte se nga protestat veç të vdekurve, kishin mbetur të lënduar mbi 900 persona tjerë.

Ishin djegur shtëpi, xhami, e kisha, qofshin ato të shqiptarëve apo serbëve.

Zhvillimet e marsit të vitit 2004 bënë që vendet ndërkombëtare të rikthejnë sytë nga Kosova.

Ishte sekretari i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan që i dha detyrë norvegjezit, Kai Eide që ta hartojë një raport për situatën në Kosovë.

Eide pas një vizite në Ballkan e dorëzoi raportin duke theksuar se ka punë për tu bërë por, duke rekomanduar se po vinte koha për ta zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës.

Në bazë të raportit që Kofi Annan e prezantoi në OKB, Kosova edhe u shpallë shtet i pavarur.

Pasojat e gjithë situatës, Kosova po i vuan edhe sot.

Njëra nga arsyet që Serbia e përdorte vite më parë kur Kosova aplikoi për anëtarësim në UNESCO, ishte djegia e monumenteve kulturore e fetare në Kosovës gjatë marsit 2004.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore