Shqipëria

Trashëgimia e shkatërrimit


Nuk është nderi që marrim me vete, por trashëgimia që lëmë pas.

Mureve të Kishës së Shën Mërisë në Leusë të Përmetit, kultura shekullore shqiptare nuhatet në qiellzat e ekzaltimit, symbyllur.

Me të hapur sytë, veçse lot gëzimi për atë çfarë sheh nuk mund të të rrjedhin…

Kisha vetë është ndërtuar në shekullin e XVIII-të, por themelet e saj datojnë që në shekullin e VI-të, në periudhën e perandorit Justinian.

Shkarravinat apo “gdhendjet” mbi të datojnë kurdo!

Tipologjia e “Shën Mërisë” është ajo e bazilikatës me kupolë.

Zyrtarisht, kjo kishë është Monument i Trashëgimisë Kulturore.

Në rrugë joformale, monument i trashëgimisë së shkatërrimit.

Çfarë nuk sheh të gërryer nga ikonat? Gjithçka të mundshme. Emra me datat përkatëse kur fasada ikonore është jo dëmtuar, por përçmuar nga kushdo ka kaluar aty për ta soditur dhe ka përfunduar duke e “stolisur” (me gërvishtjen e ndonjë çelësi, gozhde a hekuri të gjendur përreth).

Me fat është struktura, në pjesët më të larta të saj, që nuk arrihen nga këmbët njerëzore në lartësi.

Aty të paktën muralet ikonore kanë mbijetuar pa gërvishtje, vetëm me pak korrozion kohor, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes këtë herë, si të mos mjaftonte taksirati i një shoqërie borxhlie ndaj gjithë kësaj trashëgimie, të cilën gjetkë e ëndërrojnë.

Krisjet natyrale në tavan, ndryshe nga ato artificiale në mure, veçse ia shtojnë bukurinë e sikur ia përligjin moshën e thyer.

Ngjyrat disi të fshira, e bëjnë edhe më të besueshme historinë e bukur me harqet karakteristike apo dritaret anësore, të cilat i japin ndriçim natyral në çdo cep të mundshëm (zgjuarsi arkitekturore e kohës).

Ndërsa, altari ballor, ia pasqyron historinë e hidhur të një martese të pasuksesshme me njerëzit, të cilët i janë afruar për ta puthur, e kanë përfunduar duke e qëlluar me shuplakë.

Edhe terrenin e vështirë për të shkuar deri aty ia kanë mposhtur, vetëm për një “shuplakë” të vetme në muralet e saj.

Duke dashur që emrin ta shkruajnë në histori, kanë fshirë vetë historinë.

Është tipike ballkanike, në mos shqiptare.

Një histori tragjike e trashëgimisë së shkatërrimit…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore