Film

Trashëgimia e gjyshit hebre më frymëzoi për të ndihmuar Ukrainën, thotë aktori Liev Schreiber


Aktori dhe regjisori hebre, Liev Schreiber, ka zbuluar se lidhjet e gjyshit të tij nga nëna hebreje me Ukrainën, e shtynë atë t’u vinte në ndihmë banorëve të vendit gjatë pushtimit të vazhdueshëm nga Rusia.

Në një program radiofonik, Schreiber foli për gjyshin e tij Alex Milgram, emigrant hebre nga Ukraina dhe Polonia që i mbijetoi Holokaustit.

Muajin e kaluar, ylli i “Ray Donovan” ishte në Poloni, ku shërbeu ushqim për refugjatët ukrainas.

Në muajin mars, ai bashkëthemeloi organizatën BlueCheck Ukraine, e cila identifikon dhe ofron mbështetje financiare për grupet e ndihmës së vijës të parë që ndihmojnë ukrainasit.

Në një mbledhje fondesh për BlueCheck Ukraine në Washington, DC, ai deklaroi se “nëna dhe babai u ndanë kur unë isha shumë i vogël. Dhe, kështu, në shumë aspekte, ishte Alex ai që më rriti në New York City”, shpjegoi Schreiber.

Më tej, ai zbuloi se “ai kishte një ndikim të madh tek unë, por vdiq menjëherë pasi përfundova universitetin. Në fillim kisha këtë lloj ndjesie të fuqishme, emocionale për të kur ai vdiq, që nuk e kisha mundur ta njihja ashtu siç duhet. Ishte diçka që, me të vërtetë, më motivoi dhe më frymëzoi shumë që atëherë”.

Ai shtoi se, kur pa imazhe të konfliktit në Ukrainë, u lidh edhe më me krizën, aq sa u detyrua të vepronte.

Schreiber gjithashtu ndau kujtime për gjyshin e tij, duke thënë në emisionin radiofonik se “ai luante futboll dhe ishte një lojtar hokej”.

Gjyshi i regjisorit nuk foli shumë për përvojën e tij në Holokaust, tha Schreiber.

Megjithatë, interesi i tij për të mësuar rreth të kaluarës së gjyshit të tij, përfundimisht e shtyu atë që të shkruante një skenar për një të ri amerikan, i cili viziton Ukrainën për të eksploruar trashëgiminë e tij – të cilën ai e hoqi përpara se të drejtonte përfundimisht adaptimin filmik të “Everything Is Illuminated”, në vitin 2005.

Filmi, i cili ishte debutimi regjisorial i Schreiber, ka të bëjë me një hebre amerikan, i cili udhëton në Ukrainë për të gjetur gruan që i shpëtoi jetën gjyshit të tij gjatë Holokaustit.

Schreiber lavdëroi gjithashtu ukrainasit për “rezistencën dhe guximin”, ndërsa përballeshin me luftën dhe foli për planet për përpjekjet e vazhdueshme të ndihmës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore