Shqipëria

Transportonte katër emigrantë nga Afganistani për t’i kaluar në Mal të Zi, arrestohet i riu në Shkodër


Një person është kapur në flagrancë duke transportuar katër persona nga Afganistani, me qëllim kalimin e tyre për në Mal të Zi e më tej në Evropë, duke çuar kështu në arrestimin e të riut.

Sipas një njoftimi zyrtar, Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bajzë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë së Policisë Kufitare Shkodër, operacionin policor të koduar “Near 2”.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi:

S. G., 28 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në rrugën e fshatit Vukpalaj, duke transportuar me automjetin e tij, kundrejt pagesës, 4 shtetas nga Afganistani me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit për në Mal të Zi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore