Shqipëria

Transportonte emigrantë të paligjshëm, arrestohet 25-vjeçari


Policia e Shtetit ka bërë me dije mëngjesin e 22 shkurtit se është arrestuar në flagrancë shtetasi me iniciale F.H për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Po ashtu është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tij.

Shtetasi F.H është kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me një mjet të marrë me qira dy emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet, bazuar në informacionet e marra se një 25-vjeçar transportonte me mjet, emigrantë të paligjshëm nga Tirana, me qëllim transportimin e tyre drejt qytetit të Kukësit, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian, goditën një tjetër rast. Ato kanë vënë në pranga shtetasin F. H, 25 vjeç, banues në Korçë dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin A.B, 19 vjeç. Ky i fundit dyshohet si bashkëpunëtor i shtetasit F.H në këtë veprimtari kriminale”.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Më 21 shkurt policia njoftoi edhe një rast tjetër të transportit të paligjshëm të emigrantëve, në kuadër të të cilit u arrestua 29-vjeçari nga Korça, me iniciale E.V. Ky i fundit u kap duke transportuar tre emigrantë të paligjshëm drejt Tiranës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore