Shqipëria

Transporti urban, gjelbërimi dhe bulimia e ndërtimeve për dy kandidatët e Tiranës


Politika në Shqipëri nuk është shumë interesante. Kjo, sepse sipas mendimit tim modest, nuk ekziston.

Debati në përgjithësi ndërtohet mbi fyerje shumë të rënda ose shaka përçmuese të bërtitura me zë të lartë dhe mbi akuza makroskopike që pothuajse nuk mbështeten kurrë me prova konkrete.

Përballja për parimet ideale dhe strategjive të ndryshme për zhvillimin e vendit nuk ekziston dhe sfidoj këdo që të më shpjegojë se cilat janë referencat ideologjike të dy partive të mëdha.

Gjithçka reduktohet në një luftë të dhunshme për pushtet midis grupeve që të kujtojnë më tepër klanet familjare të epokës së Skënderbeut. Kështu që politika shqiptare është përplasja mes akumulimeve të interesave personale.

Është pak paradoksale që, duke qenë se ka pak për të folur, në këtë vend po shumohen talk-show-et politike, të cilat kanë të ulur pothuaj të njëjtin grup personazhesh që i bërtasin njëri-tjetrit për gjithçka, pa ndërhyrje nga gazetarët që menaxhojnë programet për t’iu përgjigjur pyetjeve specifike.

Kjo lloj skeme me rastin e fushatave elektorale veç përkeqësohet. Premtime të pamundura, propagandë pa fund dhe de legjitimimi i kundërshtarëve janë përbërësit e takimeve elektorale në mbarë botën. Por këtu shkon shumë më tej.

Merrni për shembull fushatën elektorale të kandidatit të ri për kryetar të Bashkisë së Tiranës për koalicionin e djathtë.

Belind Këlliçi u rrit në Forumin e të rinjve demokratë (kryetar i së cilës edhe ishte), duke qenë njëkohësisht edhe anëtar i kryesisë së partisë së Berishës që nga viti 2021.

Në shkurt të atij viti, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i dha detyrën e drejtuesit politik të fushatës në Qarkun e Tiranës dhe një muaj më pas, Belind Këlliçi u emërua nga Partia Demokratike si kandidat për deputet të qarkut Tiranë.

Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD Sali Berishën, FRPD dhe Belind Këlliçi iu bashkuan Foltores ku u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Por pavarësisht kësaj karriere brilante nën hijen e doktor profesor Saliut, kandidati për kryetar bashkie deklaron “Nuk mbaj përgjegjësi për atë që ka bërë PD-ja në të kaluarën, unë isha i ri dhe nuk vi të flas për politikë, por për qytetin”.

Një deklaratë e cila përveçse është qartazi e rreme, nxjerr në pah edhe një gjykim negativ për punën e partisë së tij në qeverisjen e qytetit.

Është pak sikur dikush që deri dje kalëronte me banditët, sot po ofrohet si sherif.

Më shumë se për postin e krye bashkiakut, i riu Këlliçi duket si kandidat për postin e inspektorit të urbanistikës. Fushata e tij, në fakt, fokusohet kryesisht në premtimin e autobusëve falas, ndërtimin e parkingjeve dhe një nënkalimi në sheshin Skënderbe.

Është disi pak për atë që kërkon të qeverisë një metropol me një milion banorë në rritje të vazhdueshme dhe me shumë mangësi për shkak të një zhvillimi pa rregulla.

Disa shembuj rreth autobusëve falas raportohen kryesisht në disa qytete të vogla në Evropën veriore ku banorët paguajnë më shumë se 50% të të ardhurave të tyre në taksa. Për më tepër studimet tregojnë se kjo masë administrative nuk ul aspak qarkullimin e makinave dhe nuk ka ndonjë ndikim në përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.

Gërmimi i një nënkalimi nën sheshin Skënderbeu mund të jetë diçka, por do të dëmtonte më pas rrënjët e gjelbërimit në sipërfaqe e ky do të ishte një krim mjedisor!

Kandidati i të djathtës mund të jetë i ri vërtetë, por propozon eliminimin e pistave për biçikletat. Dhe atyre që e pyesin se ku do të udhëtojnë më pas dy rrotat, ai u përgjigjet çiltërsisht “në trotuare, si në të gjithë botën”.

Çfarë bote ka parë i miri Këlliç, kjo nuk dihet.

Për krye bashkiakun në largim Erion Veliaj, miku im Dario Nardella, kryetar i Bashkisë së Firences, thotë se “ai e shndërroi qytetin e Tiranës nga ajo që ishte në kahun tjetër” dhe për këtë arsye duhet dhënë mundësia e një mandati të tretë (diçka për të cilën aspiron edhe vetë Nardella).

Sigurisht, që këtij krye bashkiak shumë trendy dhe gjithmonë i buzëqeshur në video ca merita i duhen dhënë. Ka rregulluar disa zona të gjelbra, kryesisht në pjesët e dy liqeneve të Tiranës, ka krijuar e rindërtuar shkolla, ka hapur rrugët për biçikleta, ka rregulluar pjesë të Lanës dhe disa rrugë në periferi…

Por ndoshta duhet të limojë pak bilancin e tij. Nëse pretendon se ka mbjellë një milion pemë, ai duhet të marrë parasysh se janë vetëm 18 mijë të tilla në Central Park në Nju Jork.

Dhe, sigurisht, Tirana nuk është Paris apo Londër. Tridhjetë vjet zhvillim pa rregulla e kanë kthyer atë në një qytet shumë të gjallë, por po aq të shëmtuar.

Me sa duket dhe vetë Partia Socialiste nuk beson shumë te veç fytyra e krye bashkiakut Veliaj nëse është e vërtetë që për herë të parë në këtë fushatë elektorale, e cila duhet të fokusohet tek kandidatët vendorë, në vend të imazhit të kandidatit socialist të bie në sy fytyra e kryeministrit Edi Rama, i cili propozohet si njeriu i së ardhmes përballë imazheve të turbulla të Metës dhe Berishës.

Dhe i miri Erion është nga ata që kujdeset shumë për imazhin, duke u shfaqur shpesh në shoqërinë e aktorëve, këngëtarëve dhe kampionëve të sportit. Nuk ka asnjë ngjarje në Tiranë ku kryebashkiaku të mos dalë në skenë me mikrofonin në dorë përballë fotografëve dhe kameramanëve.

Nga ana tjetër, ai tregon pak interes për të gjithë ata në qytetin e tij që i përkasin shtresave të brishta, që vuajnë nga ndonjë problem (shëndetësor, ekonomik apo i lidhur me moshën) dhe do të kishin nevojë për ndihmë.

Edhe ai propozon një program qeveritar që është i pamjaftueshëm për të menaxhuar një kryeqytet me një milion banorë, aq më shumë pas tetë vitesh qeverisje.

Ai premton se do të ndërtojë ende disa shkolla dhe disa hapësira të gjelbra, por strategjia e tij është të mbajë qytetin në rritje, duke e mbytur në beton, pa respektuar asnjë standard urbanistik.

Më shumë se ai, Tirana do të vazhdojë të qeveriset ndoshta nga peshkaqenët e ndërtimit dhe praktikuesit e pastrimit të parave të pista.

Megjithatë, pas tridhjetë vjetësh, rezultatet e kësaj strategjie janë evidente. Mjafton të shëtisësh nën hijen e këtyre ndërtesave që duken si blloqe betoni të hedhur rastësisht nga një gjigant i dehur, për ta ndjerë veten të mbytur, për të kuptuar që nuk ka parkingje, nuk ka hapësira të gjelbra, se ka kryesisht rrugë e trotuare të ngushtë sa shpesh kërkon manovra akrobatike për të ecur.

Tirana nuk ka një qendër historike dhe as një shenjë të dukshme të një arkitekture origjinale bashkëkohore bazuar në traditë.

Në këtë panair çimentoje që është kryeqyteti shqiptar ende nuk ka një stil të Tiranës së sotme.

Ndoshta Bashkia e Tiranës duhet të konsultohet me ndonjë urbanist më shumë se ato që ka ne dispozicion. Ata do të mund t’i shpjegojnë disa gjëra shtesë.

E para është se teoria e konurbacionit (krijimi i megaqyteteve “megalopoli”) është tipike e shekullit të 21-të dhe sot dhe në të ardhmen do të jetë tipike për vendet e botës së tretë.

E dyta është se zhvillimi urban i qyteteve në botën e qytetëruar është planifikuar me plane rregulluese urbanistike (që nuk janë vetëm për të qëndruar në letër, por edhe për t’u zbatuar) që përcaktojnë standarde të sakta: duhet të ofrohen një numër i caktuar metrash katrorë gjelbërim dhe hapësira publike, shërbime sociale për çdo banor, përveç lartësisë së ndërtesave dhe distancave ndërmjet tyre, ngjyrave dhe gjithashtu gjerësia e rrugëve duhet të ndjekë disa standarde.

Duke qenë se krye bashkiaku në largim, i cili sipas sondazheve pothuajse me siguri do të konfirmohet, pretendon se është një zgjedhje strategjike vazhdimi i ndërtimit, do të ishte mirë që të paktën të rregullonte buliminë ndërtimore të shqiptarëve duke respektuar disa standarde.

Disa fjalë edhe për aspektin ekonomik të veprimtarisë së ndërtimit. E para është se të ardhurat nga qënia pronar toke nuk është më dinamike e aktiviteteve ekonomike në vendet perëndimore.

E dyta është se sektori i pasurive të paluajtshme po ngadalësohet në të gjithë botën dhe çmimet e apartamenteve mund të fillojnë të bien edhe në Shqipëri. Nëse vazhdohet të ndërtohet pa kufij, herët a vonë flluska do të shpërthejë. Dhe, këtu ka të drejtë krye bashkiaku, Tirana nuk është as Londër, as Paris.

I nderuar krye bashkiak, më pak veshje të stilistëve me famë, më pak yje televizivë si promovim dhe më shumë angazhim në interes të qytetarëve të të gjitha grupeve, atyre në nevojë dhe jo, fëmije, të rinj, familjarë dhe të moshuar, më shumë angazhim për të zhvilluar biznesin e vogël dhe të mesëm dhe jo vetëm të ndërtuesve!

Jam i bindur që popullariteti yt veç do të shtohej.

Megjithatë, pas dy javësh votohet dhe për qytetarët e Tiranës, çfarëdo që të ndodhë, nuk do të jetë sukses.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore