Momente

Transformimi i Tyson Fury-t ndër vite


Transformimi ekstrem i fizikut të kampionit britanik Tyson Fury, është ndër pamjet më të rralla në historinë e boksit.

Kampioni i Këshillit Botëror të Boksit (WBC) Fury, ka pasur probleme të rënda jashtë ringut katror të boksit.

Prej vitesh ai ka luftuar depresionin dhe varësinë ndaj lëndëve narkotike, si dhe problemet me alkoolin.

Mbreti Cigan (Gypsy King – nofka e Tyson Fury-t) ka postuar rishtazi një foto në Twitter, e cila tregon punën gjigande që ai ka bërë për ta arritur këtë formë.

Sidoqoftë, një krahasim pamor midis Fury-t të 2017 dhe ky i sotmi i 2021, dëshmon diferencën masive në fizikun e tij.

Fury ka dëshmuar më parë se pinte tetë deri në 12 birra në ditë – pa llogaritur pije të tjera më të forta.

Fury pret super-ndeshjen kundër bashkëkombasit të tij, Anthony Joshua. Ndeshja pritet të zhvillohet në korrik të këtij viti sipas menaxherit të Joshua-s, Eddie Hearn.

“Nuk kam ndërmend t’i vendos të gjitha vezët në një shportë” – u shpreh Fury figurativisht tek iFL TV muajin e kaluar (mars), duke nënkuptuar pritshmëritë e ulëta ndaj ndeshjes me Joshua-n si dhe shëndetin e tij mendor – “sepse jam zhgënjyer më parë dhe, kur ndeshja nuk zhvillohej, pikërisht atëherë bije në një depresion të thellë dhe më vjen të vras veten”.

“Nuk dëshiroj të shprehem sa i përket mundësisë për t’u zhvilluar ndeshja (kundër AJ) apo e kundërta por, me siguri do të ndodhë në qershor ose në korrik. Unë kam ndaluar së stërvituri për momentin sepse jam me pushime”, vazhdoi Fury.

Tyson Fury numëron 30 fitore, prej të cilave 21 me nokaut dhe zero humbje. Kundërshtari i tij Anthony Joshua, kampioni i WBA (Shoqëria Botërore e Boksit), IBF (Federata Ndërkombëtare e Boksit), WBO (Organizata Botërore e Boksit) dhe IBO (Organizata Ndërkombëtare e Boksit), regjistron 24 fitore, prej të cilave 22 me nokaut dhe një humbje.

Ndeshja e tyre parashikohet të kalojë çdo shifër paraardhëse. Kryesor është fakti se të dy kampionët kanë vënë si çmim çdo titull dhe fituesi do të shpallet kampioni padiskutueshëm absolut i peshave të rënda.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore